Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Hënë, 26.11.2018
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha Shala, kryetare e këtij komisioni, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ata të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), si dhe përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), njoftuan lidhur me procesin e anëtarësimit të NP KOSTT, në Rrjetin Evropian të Operatorëve e Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E).
Në emër të MZHE-së foli Halit Shala, i cili tha se në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është arritur edhe marrëveshja për energjinë, sipas së cilës është paraparë që KOSTT-i të anëtarësohet në ENTSO-E. Por, tha ai në vijim, për implementimin e kësaj marrëveshjeje Serbia deri më tani nuk ka shfaqur interesim, duke bërë që këtë marrëveshje ta mbajë si çështje që duhet zgjedhur në pakon e çështjeve politike. Ne tha ai, insistojmë që KOSTT-i të jetë autoritet që vepron në mënyrë të pavarur në zonën përkatëse energjetike.
Në vijim të takimit, lidhur me këtë njoftuan edhe e Ilir Shala, kryeshef ekzekutiv në NP KOSTT dhe ushtruesi i detyrës së Bordit të ZRRE-së, Arsim Janova. Me këtë rast, ata vunë në pah aktivitet e tyre, duke vënë në spikamë informimin e saktë lidhur me veprimet destruktive të Serbisë, e cila në vijimësi ka paraqitur pengesa në zbatimin e marrëveshjes.
Shala dhe Janova vlerësuan se, pas informatave që ENTSO-E-ja ka marrë prej tyre, NP KOSTT-i, gjendet në situatë më të favorshme për sa i përket trajtimit nga Rrjeti Evropian i Operatorëve e Transmisionit të Energjisë. Në vijim, përfaqësuesit e këtyre institucioneve njoftuan edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjes së energjisë, me theks të veçantë, për procedurat e regjistrimit të ndërmarrjes "Elektro Sever" nga ana e MTI-së.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e këtyre institucioneve u janë përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve që paraqitën anëtarët e komisionit, të cilët po ashtu paraqitën edhe rekomandime lidhur me temat që u diskutuan gjatë takimit.