Lajmet e fundit

U mbajt seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

E Enjte, 22.11.2018




Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, hapi seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të debatuar "lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës", sipas kërkesës së 42 deputetëve.

Kjo seancë kishte filluar të premten, me 16. 11. 2018, mirëpo ishte ndërprerë për shkak të mungesës së kabinetit qeveritar, gjë që ishte arsyetuar paraprakisht.

Deputetja Vjosa Osmani, në emër të iniciuesve të kësaj seance, arsyetoi para deputetëve kërkesën për debat dhe paraqiti kërkesën për miratimin e një rezolute, nëpërmjet të cilës kërkohet dorëheqja e qeverisë. Po ashtu ajo vlerësoi se politika e jashtme e Kosovës ka dështuar dhe se me hapjen e temës së korrigjimit të kufijve, është hapur edhe tema e shtetësisë së Kosovës.

Ajo tha se me qëllim të ndërprerjes së çdo propozimi që konteston shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtar dhe integritetin territorial, qeveria duhet të dorëhiqet, për t'i hapur rrugë, siç tha ajo, formimit të institucioneve të reja, të cilat, sipas saj, duhet ta konsolidojnë dhe formojnë politikën e jashtme të Kosovës, me orientim gjeopolitik për integrime euro-atlantike.

Nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, foli deputeti Albin Kurti. Ai vlerësoi se nuk është arritur asgjë në politiken e jashtme, duke përmendur mungesën e njohjeve dhe dështimin në anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Po ashtu edhe Doruntinë Maloku, në cilësi të përfaqësues së GP të LDK-së, tha se ka rënë kredibiliteti i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Evgjeni Thaqi-Dragusha foli për sfidat që sipas saj Kosova i ka aktualisht, me theks të veçantë në politikën e jashtme. Ajo tha se ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, duhet të raportojë në Kuvend lidhur me lajmet e mediave serbe për tërheqje të njohjeve për Kosovën.

Pjesë e diskutimeve nga grupet parlamentare ishin edhe Dukagjin Gorani nga Partia Social-Demokrate, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Zafir Berisha nga Nisma Social-demokrate, të cilët shprehën qëndrimet e grupeve që përfaqësojnë lidhur me politikën e jashtme të vendit dhe veprimet që duhet ndërmarrrë në të ardhmen.

Pas deklarimeve në emër të grupeve, kryeministri Ramush Haradinaj dha qëndrimin e tij, duke vlerësuar se politika e jashtme ka vend për kritika dhe se do të marrë parasysh diskutimet e seancës së jashtëzakonshme.

Në lidhje me raportet Kosovë-Serbi, Haradinaj tha se nuk mjafton që Kosova të vazhdojë t'u përshtatet agjendave të të tjerëve dhe se duhet të tregohet vetja.

"Duhet të jemi të qartë në raport me Serbinë. Masat që janë vendosur për produktet që vijnë nga Serbia duhet të jenë të përhershme deri në njohje. Pa një qasje të tille është e pamundur të arrihet një marrëveshje finale", tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë diskutimeve, disa nga deputetët me tone kritike trajtuan politikën e jashtme të Kosovës dhe mungesën e ministrit Pacolli në seancë, ndërsa të tjerë u shprehën se rezoluta e propozuar duhet të jetë më serioze dhe se ka nevojë për ndryshime.

Pas përfundimit të diskutimeve, deputetja Vjosa Osmani kërkoi nga deputetët që të votohet rezoluta e propozuar.

Pas hedhjes në votim të rezolutës, nuk u arrit numri i nevojshëm për votim dhe me këtë rast seanca u ndërpre.

 

 

U mbajt seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të KosovësU mbajt seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës