Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 21.11.2018
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Besa Baftiu, kryetare, zhvilloi një takim me ministrin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skënder Reçica. Objektivi i këtij takimi ishte raportimi i ministrit lidhur me;
- Vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative,
- Projeksionet buxhetore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për vitin 2019,
- Zbatimi i Ligjit për personat e dhunuar gjatë luftës,
- Reforma e sistemit të pensioneve në Kosovë.
Pasi bëri një ekspoze të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me këto probleme, ministri Reçica theksoi se po hasen vështirësi pasi po përgatiten 8 projektligje të cilat janë të ndërthurura me njëra tjetrën dhe është mjaft e rëndësishme të krijohet ligji bazik, pasi kemi pensione të dyfishta të cilat kanë edhe implementime buxhetore. Gjithashtu ai paraqiti edhe projeksionet buxhetore të parapara për vitin 2019, të cilat përmblidhen afërsisht në 465 milion euro, si dhe një pasqyrë për vështirësitë që po hasen për personat e dhunuar gjatë luftës dhe reformat për ndryshimin e skemave të pensioneve në Kosovë.
Ministri iu përgjigj të gjitha pyetjeve të shtruara nga deputetët, të cilët me këmbëngulje kërkuan sqarime të hollësishme për të gjitha çështjet e shtruara.