Lajmet e fundit

Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli, ka marrë pjesë në Konferencën rajonale për kornizën institucionale dhe ligjore në mbrojtjen e të drejtave të personave të zhdukur

E Mërkure, 14.11.2018




Me ftesë të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, delegacioni i Republikës së Kosovës në përbërje nga: Mexhide Mjaku-Topalli, deputete e Kuvendit të Kosovës, dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare, Jahja Lluka, këshilltar i Kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për Çështjen e personave të zhdukur, Prenkë Gjetaj, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, dhe Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit/Sekretariatit të Delegacionit të Kosovës, po marrin pjesë në konferencën rajonale për kornizën institucionale dhe ligjore në mbrojtjen e të drejtave të personave të zhdukur dhe familjeve të tyre, e cila është duke u mbajtur në Sarajevë (Bosnje dhe Hercegovinë).

Në fjalën e saj, deputetja Mexhide Mjaku-Topalli, prezantoi kornizën institucionale dhe ligjore në Republikën e Kosovës dhe përpjekjet e angazhimet e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe përkrahjen e familjeve të tyre.

Deputetja Mjaku - Topalli, ndër të tjera theksoi se, "Çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur është një proces i tërë dhe i ndërlidhur nga shumë faktorë dhe mekanizma, vendore dhe ndërkombëtare, të cilat duhet të jenë në një bashkëpunim dhe koordinim shumë të mirë dhe sistematik, në mënyrë që rezultatet të jenë më të mira."

Po ashtu, përfaqësues të delegacionit të Republikës së Kosovës, gjatë konferencës ritheksuan domosdoshmërinë që komuniteti ndërkombëtar të ngritë presionin ndaj Serbisë për të bashkëpunuar në procesin e zbardhjes së personave të pagjetur, duke ofruar informata për fatin dhe vendndodhjen e më shumë se 11,000 personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur në të gjitha vendet e rajonit.

Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësuesit e shteteve të rajonit si Republika e Kroacisë, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa përfaqësuesit e Serbisë nuk kanë marrë pjesë.

Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli, ka marrë pjesë në Konferencën rajonale për kornizën institucionale dhe ligjore në mbrojtjen e të drejtave të personave të zhdukur