Lajmet e fundit
Nga takimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-SHBA
E Premte, 09.11.2018
Sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt takimi konstituiv i Grupit të Miqësisë Kosovë-SHBA, në të cilin ishte edhe përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Xhesika Llong, shefe e sektorit për politikë dhe ekonomi.
Hapjen e takimit e bëri kryetari i Grupit të Miqësisë Kosovë-SHBA, Memli Krasniqi, i cili tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës, nëpërmjet Grupit të Miqësisë mund të luajnë rol shumë të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Kosovës dhe Kongresit të SHBA-së dhe se planifikojnë iniciativa konkrete në këtë drejtim.
Përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Xhesika Llong, nga ana e saj, përgëzoi Kuvendin e Kosovës për këtë iniciativë, të cilën e vlerësoi shumë të rëndësishme për të forcuar edhe më tej lidhjet SHBA-Kosovë. Llong vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kongresit të SHBA-së është shumë i rëndësishëm.
Deputetja Vjosa Osmani-Sadriu theksoi se është shumë e rëndësishme që të bëhet njoftimi nga Ambasada e Kosovës në SHBA ose nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, që të dërgohet përbërja e Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin e SHBA-ve (Albanian Issues Caucus in the U. S. Congress), si dhe vlerësoi si të rëndësishme takimet dhe komunikimet me Asambletë në shtetet e SHBA-së e posaçërisht në shtetet të cilat kanë popullatë shqiptare.
Gjatë takimit u theksua se kryetari Memli Krasniqi dhe Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, edhe pse në delegacione të ndryshme, do të kenë takime zyrtare me përfaqësues të institucioneve të SHBA-së, në të cilat do të shtrojnë çështje të rëndësishme në ngritjen e bashkëpunimit bilateral dhe diplomacisë parlamentare.