Lajmet e fundit
Veseli: Ushtria e Kosovës e përmbyll ndërtimin e arkitekturës rajonale të sigurisë
E Enjte, 01.11.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është formacioni më modern ushtarak në rajon, falë partneritetit të gjithanshëm me NATO-n, Aleancën më të fuqishme dhe më demokratike të sigurisë në botë.
Gjatë fjalimit në konferencën "FSK dhe partnerët", ku të pranishëm ishin ambasadorë ndërkombëtarë të akredituar në Prishtinë dhe zyrtarë të lartë të NATO-s, kryeparlamentari Veseli tha se në themel të lirisë, të pavarësisë dhe të shtet formimit të Kosovës, qëndron një vlerë e madhe, partneriteti me botën perëndimore.
Kreu i Kuvendit tha se FSK-ja është shembulli më i mirë i funksionimit të këtij parterniteti.
Duke përgëzuar ushtarët e FSK-së dhe eprorët e saj, për punën e madhe dhe shumë profesionale që janë duke bërë, Veseli i cilësoi ata nderi bashkëkohor i Kosovës.
Ai tha se të rralla janë rastet që një ushtri në formim e sipër, të prezantohet kaq dinjitetshëm në botë, sikurse është FSK-ja, kuadrot e të cilës kanë shkëlqyer duke marrë medalje në garat ndërkombëtare më prestigjioze.
"Kjo flet për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale dhe përvetësimit të standardeve më bashkëkohore të ushtrive më moderne të kohës sonë. Kjo flet se FSK-ja ka përmbushur të gjitha standardet e nevojshme për të kaluar në hapin tjetër të saj: formalizimin në Ushtri të Kosovës. Ne para pak ditësh në Kuvendin e Kosovës miratuam tre ligjet e nevojshme për avancimin e këtij procesi dhe jemi të vendosur që të ecim përpara së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë", tha kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit shtoi se Kosova do ta ketë një ushtri dinjitoze, në shërbim të sigurisë nacionale, paqes dhe stabilitetit të rajonit dhe më gjerë, e cila do t'i bëjë krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës, të të gjitha komuniteteve të saj.
Ai tha se transformimi i FSK-së në Ushtri është proces i pandalshëm, i domosdoshëm dhe në interes të të gjithëve në Kosovë dhe në rajon.
"Transformimi i FSK-së në Ushtri e përmbyll ndërtimin e arkitekturës rajonale të sigurisë. E bën rajonin më stabil dhe më të gatshëm për në integrimet euro-atlantike dhe ndihmues në sfidat globale të sigurisë", tha Veseli.
Duke komentuar zërat e fundit mbi kinse rrezikun e një destabilizimi të ri në Ballkan, Veseli tha se këto ide janë reminishenca të së kaluarës, e cila është mbyllur njëherë e përgjithmonë.
"E ardhmja e Ballkanit në BE nuk do të mund të shmanget nga askush. Është interesi dhe dëshira më e madhe e popujve dhe qytetarëve tanë. Është vizioni i forcave demokratike që nuk do të lejojnë të ndryshohet kursi properëndimor i rajonit tonë. Prandaj e them me bindje të plotë se Paqja demokratike në rajonin tonë nuk ka alternativë. Pikërisht ky koncept i paqes demokratike qëndron në themel të FSK-së dhe në themel të partneritetit të saj me ndërkombëtarët", tha kryetari i Kuvendit.