Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Marte, 30.10.2018




Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare e këtij komisioni.

Diskutimet në mes anëtarëve të komisionit u hapën për shqyrtimin në parim të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me ç'rast u theksua nevoja për regjistrat origjinalë kadastralë të shtetit. Pas diskutimeve, ky projektligj u përkrah dhe u procedua tutje në Kuvend.

Prezent në pjesën tjetër të mbledhjes ishte edhe Frashër Racaj nga Sindikata e pavarur e Shërbimit Korrektues të Kosovës, për të shpalosur para komisionit vërejtjet e sindikatës për Projektligjin për pagat, si dhe propozimet shtesë.

Komisioni me këtë rast u dha mbështetje kërkesave të sindikatës, ndërsa anëtarët premtuan se do të lobojnë më tutje për çështjet e ngritura.

Pjesë e rendit të ditës ishte Shqyrtimi i Raportit me Rekomandime i Avokatit të Popullit në lidhje me kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit të pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor, sipas Ligjit për automjete.

Avokati i Popullit e ka cilësuar këtë si shkelje të të drejtave të njeriut, gjegjësisht të së drejtës së pronës.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e komisionit theksuan se nuk arsyetohet shkaktimi i problematikave tek qytetarët me kushtëzime të tilla. Komisioni vendosi që këtë çështje t'ia adresojë Komisionit për Zhvillim ekonomik, si komision kompetent.

Në vazhdim, Komisioni me votim vendosi që deputeti Sami Kurteshi të jetë anëtar i Komisionit për ish të burgosurit politikë.

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...