Lajmet e fundit

U mbajt seancë plenare e Kuvendit

E Enjte, 18.10.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në drejtimin e nënkryetarit Xhavit Haliti, sot mbajti seancë të rregullt plenare.

Fillimisht Kryeministri Ramush Haradinaj doli përpara deputetëve për të qartësuar se qeveria mirëpret shqyrtimin e parë të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu kryeministri iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve drejtuar tij, lidhur me cenimin e shëndetit publik. Deputetët kërkuan arsyet përse nuk po përfundojnë projektet në afate kohore lidhur me këtë problematikë. Kryeministri u pajtua se këto projekte veç është dashur të përmbyllen me afatet e caktuara, mirëpo, sipas tij, për shkak të neglizhencës së punëkryesve dhe problemeve teknike, kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Kryeministri Haradinaj premtoi që ky projekt do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

Për t'u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, në foltore dolën edhe ministrat: Uran Ismajli, ministër i Shëndetësisë, Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë dhe Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në vazhdim, u bë paraqitja dhe arsyetimi i projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, të cilën e bëri ministri i Forcës se Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.

Ky i fundit tha se ky projektligj parasheh që Ministria e FSK-së të kalojë në Ministri të Mbrojtjes, e cila do të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me ligjin.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes u mbështet edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili theksoi se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të ndihet i sigurtë në vendin tonë, përfshirë këtu edhe komunitetet.

Për këtë projektligj folën edhe deputetët, të cilët shprehën gatishmërinë për votimin e tij, duke vlerësuar se sovraniteti i Kosovës nuk është i plotë pa forcën e saj mbrojtëse.

Me 101 vota pro, Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si vazhdim i rendit të ditës, u arsyetua serish nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha. Projektligji mori pëlqimin e grupeve parlamentare, përpos Listë Serbe, e cila lëshoi sallën dhe nuk mori pjesë në votim.

Pavarësisht mungesës së deputetëve të këtij grupi parlamentar, ky projektligj mori votat e mjaftueshme dhe u miratua.

Ministri Rrustem Berisha paraqiti dhe arsyetoi edhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligj i cili mori mbështetjen e duhur nga deputetët prezentë dhe u miratua në shqyrtim të parë.

Në vazhdimin e seancës, u ratifikuan edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat u cilësuan si mjaft të rëndësishme për vendin tonë.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, u arsyetuan nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Ai tha para deputetëve tha se këto marrëveshje janë jetike dhe prekin drejtpërdrejt qytetarët e Republikës së Kosovës. Reçica tha se nënshkrimi i tyre është pritur me padurim nga qytetarët tanë, të cilët, sipas tij, kanë derdhur djersën e tyre për të kontribuar jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për ekonominë e Kosovës.

Për projektligjet diskutuan edhe deputetët, të cilët në fund i dhanë mbështetje me votë.

Në seancën e sotme u miratuan edhe Projektligji për Ratifikimin e "Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut në kuadër të Projektit të bashkëpunimit zhvillimor, KSV/019: asistencë teknike në kontekstet e integrimit evropian", si dhe Projektligji nr. 06/L-103 për Ratifikimin e ndryshimit dhe plotësimit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Miratimin nga Kuvendit sot e mori edhe Projektligji nr.06/L-129 për Ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës Ministris së Inovacionit dhe Ndërmarrsisë dhe Giz (Agjencioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar).

Projektligji për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, i cili u fut në rendin e ditës ne fillim të seancës, u votua nga deputetët dhe mori shumicën e votave të tyre.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, u prezantu dhe arsyetua nga kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu. Si pasojë e mungesës së kuorumit, projektligji nuk u votua. Njësoj, vazhdoi seanca edhe me leximin e parë të Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, si dhe shqyrtimin e Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale, të cilat arritën vetëm të arsyetohen nga ministri Bedri Hamza, mirëpo nuk u proceduan për votim.

Seanca u ndërpre për mungesë kuorumi dhe kryesuesja Aida Dërguti informoi që seanca do të vazhdojë nesër në ora 10:00.

 

U mbajt seancë plenare e KuvenditU mbajt seancë plenare e KuvenditU mbajt seancë plenare e KuvenditU mbajt seancë plenare e Kuvendit