Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për punë të jashtme
E Mërkure, 17.10.2018
Sot u mbajt mbledhja e radhës e komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, drejtuar nga kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani-Sadriu.
Në këtë mbledhje u diskutua për raportin e Qeverisë për dialogun Kosovë- Serbi dhe për sfidat që po kanë këto marrveshje dhe zbatimi i tyre. U përmendën disa prej sfidave themelore të këtyre marrveshjeve, si dhe u theksua mos-zbatimi i mbi 90% të pikave të dialogut, nga ana e Serbisë.
Gjatët debatit, disa deputetë vlerësuan se kjo temë nuk është dashur të vihet si pikë e rendit të ditës, sepse nuk ka pasur marrëveshje të reja nga mandati i ri i Qeverisë, ndërkaq, lidhur me këtë temë, u shprehën ata, është diskutuar në takimet e mëhershme.
Raporti nuk u procedua tutje, për shkak se disa nga deputetët nuk morën pjesë në votimin.
Pika tjetër e diskutimit ishte për vlerësimet e Sindikatës së Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm, meqë ky komision edhe ka krijuar një grup punues për të analizuar shkeljet nga kjo ministri, shkelje, të cilat sipas deputetëve duhet të trajtohen edhe në Kuvend.
Edhe pse angazhimi i këtij komisioni për këtë çështje nuk ka munguar, hezitimi për pjesmarrje në mbledhjet e komisionit nga ana e stafit të Sindikatës, e ka bllokuar vijueshmërinë dhe zbulimin e këtyre rasteve dhe shkeljeve.
Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, ndërkaq, u vlerësua se komisioni është angazhuar që të identifikojë organizatat parlamentare në të cilat mund të aplikojë Kuvendi i Kosovës.
Realizimi i këtij bashkëpunimi mund të bëhet në bashkëpunim me Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare, me qëllim lobimin dhe forcimin e bashkëpunimeve me vendet e rajonit, u tha gjatë takimit.