Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare

E Hënë, 15.10.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, ka vazhduar sot punimet e mbledhjes plenare, me pikat e mbetura, kryesisht votime të projektligjeve.

Kështu, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për mbrojtjen e fëmijës, ndërkaq nuk i dha mbështetje Projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në shqyrtim të dytë, deputetët miratuan Projektligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike.

Me kërkesë të kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balja, u shty për një seancë tjetër shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë.

Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e raporteve të institucioneve të pavarura për vitin 2017. Kështu, përkrahjen e deputetëve e morën shtatë raporte të tilla: raporti vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra, raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, raporti vjetor i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2017, raporti vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe raporti vjetor i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Nuk u miratua, ndërkaq, raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës.

Më pas, Kuvendi miratoi Propozim-vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore, si dhe propozimet e grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Me votim të fshehtë, në një garë midis gjashtë kandidatëve, Kuvendi zgjodhi Agron Gashin, Sali Bashotën dhe Lirim Gecin, anëtarë të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës, me mandat trevjeçar.

U formua po ashtu Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar, si dhe u miratua propozimi për zëvendësimin e një anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me kërkesë të deputetit Visar Ymeri, u hoq nga rendi i ditës votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Në pikën e fundit, Kuvendi debatoi në lidhje me shtesat e fëmijëve, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga shtatë deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së.

Iniciuesja e debatit, deputetja Kadaj-Bujupi, tha se Kuvendi mund të angazhohet në këtë çështje, bashkë dhe pa dallime partiake, ngase, sipas saj, kjo është çështje strategjike me interes kombëtar, në mënyrë që shtesat për fëmijë të bëhen realitet jo më larg se vitin tjetër.

"Barazia ndërmjet fëmijëve është parakusht për zhvillimin e tyre. Pra, përfshirja e tyre në arsim, luftimi i varfërisë, i kequshqyerjes", theksoi Kadaj-Bujupi,

Ajo shtoi se edhe pse Kosova ka popullsinë nga më të rejat në Evropë, ka një rënie të natalitetit. Sipas saj, prej vitit 2011 deri më 2017, janë 70 mijë lindje më pak, derisa shtoi se faktor për këtë rënie është edhe mungesa e shtesave.

Ajo tha se rezoluta që propozohet sot parasheh që çdo fëmijë në Kosovë prej moshës 0 deri në 16 vjeç të gëzojë shtesa çdo muaj, duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore kjo shumë të rritet.

Sipas saj, rezoluta kërkon që rekomandimet e saj të zbatohen në buxhetin për vitin e ardhshëm, duke u shndërruar në vijë buxhetore.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, u shpreh se pasi propozimi vjen nga partia e kryeministrit, beson që është diskutuar buxheti dhe do të realizohen shtesat për fëmijë, të cilat vlerësoi të domosdoshme. Ajo tha se është shqetësuese rënia e natalitetit në Kosovë.

Ndërsa deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, e konsideroi të domosdoshme këtë iniciativë, por edhe të vonuar, duke thënë se 33 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri, 10 për qind e fëmijëve janë të përfshirë në punë dhe 7 për qind prej tyre punojnë punë të rënda.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se do të ishte mirë që shuma e shtesave të mos jetë nën 10 euro, ndërsa mbi këtë shumë do të ishin të mirëseardhura për fëmijët dhe familjet e tyre.

Deputeti Danush Ademi, ndërkaq, tha se duhet të zbuten kriteret për asistencë sociale, ngase, siç tha ai, një fëmije, pa marrë parasysh gjendjen financiare, sapo t'i bëjë pesë vjet, i ndërpritet asistenca sociale. Ajo shtoi se fëmijët e kësaj kategorie duhet të marrin asistencë sociale deri në 16 vjet.

Debati vazhdoi me diskutime të deputetë të tjerë, të cilët u angazhuan për një zgjidhje e cila krahas zbutjes së gjendjes së shumë familjeve në nevojë, do të shërbente edhe si masë stimuluese për rritur lindshmërinë në Kosovë.

Në fund të debatit, fjalën e mori serish deputetja Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa në mungesë të kuorumit, rezoluta nuk u hodh në votim.

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenare