Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës
Fjalimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shtatores së Ukshin Hotit, në Prizren
I nderuar rektor i Universitetit "Ukshin Hoti" të Prizrenit,
Të nderuar profesorë, studentë,
Struktura të Komunës së Prizrenit,
Të nderuar miq,
Ndihem i nderuar që sot, së bashku me ju, në këtë vend të dijes, po vendosim gurthemelin e shtatores së Ukshin Hotit - njërit prej personaliteteve më të shquara të luftës sonë për liri dhe pavarësi.
Ukshin Hoti ishte dhe mbeti deri në fund veprimtar i pakompromis i lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës.
Ai ishte ideologu që frymëzonte këtë lëvizje me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual.
Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare.
Në fillim të vite 80 të shekullit të kaluar, kur terrori i regjimit jugosllav po përgjakte rininë e Kosovës, kur shumë kush zgjodhi heshtjen, mbylljen e syve apo të veshëve, Ukshin Hoti ngriti zërin e protestës e kundërshtimit.
Ukshin Hoti ngriti zërin e protestës, ngase besonte fuqishëm se dija dhe intelektuali kanë kuptim vetëm duke qenë në shërbim të lirisë, dinjitetit njerëzor e kombëtar.
Dhe Ukshin Hoti i qëndroj deri në fund këtij besimi.
U përpoqën ta joshin me poste, por nuk e bën dot ideolog të sistemit.
E burgosën, por nuk ia thyen dot përcaktimin intelektual e kombëtar.
Në fakt burgosja e tij ju kthye bumerang regjimit jugosllav:
- Në vitin 1983, Amnesty International e shpalli Ukshin Hotin të burgosur të ndërgjegjes.
- Emri i tij u bashkua listës së gjatë të disidentëve që po luftonin për liritë njerëzore gjithandej botës komuniste.
- Në këtë mënyrë, zëri i Kosovës së shtypur po fillonte të dëgjohej në qendrat vendimmarrëse të botës perëndimore.
Ukshin Hoti nuk hoqi dorë kurrë nga parimet e tij, sepse gjithë jetën e tij kishte vetëm një interes: interesin kombëtar, lirinë e popullit të tij.
Në vitet '90-ta, kur lëvizja jonë kombëtare po përgatitej të shndërrohej në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, regjimi përsëri e burgosi Ukshin Hotin.
E izoluan, sepse e dinin shumë mirë se filozofi i çështjes shqiptare do të bëhej filozofi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por përsëri dështuan.
Dështuan, sepse tanimë Ukshin Hoti ishte kthyer në ikonë të lëvizjes sonë kombëtare.
Thënia e tij legjendare se "për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe", qëndron në themele të vetë platformës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ishte pikërisht ky parim që bëri botën demokratike të mbështeste kauzën tonë për çlirim në vitin 1999.
Sot Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar.
Janë më mijëra qytetarë të pagjetur Kosovës, për fatin e të cilëve ende shteti serb nuk jep përgjigje se ku janë.
Në mesin e tyre është edhe profesor Ukshin Hoti.
Dhe për të qenë cinizmi edhe më i madh, ky shtet pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Si mund të bëhet pjesë e Evropës dikush që mbanë në territorin e tij varreza sekrete të viktimave të pafajshme?
Si mund të jetë pjesë e Evropës dikush që mban sekret fatin e intelektualëve të kalibrit evropian, sikurse është Ukshin Hoti?
Është koha t'i jepet fund këtij cinizmi.
Kosova ka të drejtë të dijë për fatin e qytetarëve të saj, ta ketë drejtësinë për ta, sepse vetëm drejtësia shëron plagët e së shkuarës, mundëson paqen dhe të ardhmen.