Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Universitetin e Sofjes - Dega e Ballkanistikës

E nderuara profesore Ruslana Bejleri,
I nderuari profesor Anton Panchev,
Të nderuar studentë të Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, në katedrën e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes,

Takimi im, me Ju sot, është një moment i veçantë për mua. Derisa po vija për tek Ju, mu kujtua Rilindja jonë kombëtare. Mu kujtuan vitet e rënda të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Në ato vite, si të gjitha kombet tjera, kombi ynë po luftonte për lirinë dhe pavarësinë e tij. Po luftonte për të rigjetur identitetin e tij të natyrshëm, brenda qytetërimit evropian.


Aso kohe, Sofja ishte një qendër shumë e rëndësishme kulturore dhe politike e Rilindjes sonë kombëtare. Mes kontributit të shumë shoqatave e klubeve, është i paharrueshëm kontributi i shoqërisë patriotike "Dëshira" dhe gazetës "Drita", në zgjimin e vetëdijes kombëtare të popullit tonë.

Te nderuar profesorë,
Të nderuar studentë,

Me punën tuaj, me angazhimin tuaj në mësimin e gjuhës shqipe, Ju jeni sot trashëgimtarët me të denjë të asaj tradite rilindase. Duke kultivuar gjuhën shqipe, Ju në fakt, po përmbushni një mision të dyfishtë, sa human aq edhe akademik.


Po afirmoni gjuhën e një kombi që jeton prej shekujsh brenda një historie të përbashkët me popullin bullgar, dhe në të njejtën kohë, po i shërbeni, në mënyrën më të mirë, fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit e bashkëjetesës mes popujve e kulturave, në rastin konkret mes popullit shqiptar dhe popullit bullgar.


E them këtë për shumë arsye:
E para, duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, ne bëhemi më të afërt me njëri-tjetrin. E kuptojmë dhe njohim më mirë njëri-tjetrin. Duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, mësojmë të përfitojmë vlera nga dallimet e njëri-tjetrit. Duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, shmangim pasojat e dëmshme të izolimit gjuhësor nga njëri-tjetri.
Është pikërisht izolimi gjuhësor ai që krijon paragjykime e stereotipe për njëri-tjetrin, e janë këto paragjykime që ushqejnë ksenofobinë. Është pikërisht ksenofobia, nga e cila rajoni ynë ka vuajtur shumë, për një kohë të gjatë.
- qoftë ksenofobia e të tjerëve për rajonin tonë, duke na vënë epitetin negativ si fuqi baroti,
- qoftë ksenofobia mes vetë popujve të rajonit, e shkaktuar nga nacionalizmi i pakontrolluar.


Fatkeqësisht, në shumë raste, kemi lejuar që atdhedashurinë ta kuptojmë si urrejtje dhe përçmim për të tjerët.
Brezi ynë duhet të ndihet me fat sepse po jetojmë në një epokë të re marrëdhëniesh në Ballkan, një epokë ku paqja, stabiliteti, bashkëpunimi politik, këmbimet ekonomike dhe integrimi evropian janë vlera të përbashkëta.
Duke qenë brez fatlum, në të njejtën kohë, jemi edhe brezi me përgjegjësinë më të madhe, për të mos lejuar që të na përsëritet historia, për të mos lejuar që rajoni ynë, sërish, të kthehet në viktimë gjeopolitike.


Ne jemi brezi që kemi përgjegjësinë për të dëshmuar se ka ardhur koha që termi negativ, i krijuar padrejtësisht për rajonin tonë, termi "ballkanizim", të hiqet nga fjalori i politikanëve, gazetarëve dhe intelektualëve, të bëhet një term i dalë mode.


Është në dorën tonë, që duke punuar së bashku, t'i shembim mitet për rajonin tonë si një fuqi baroti dhe tokë ku dëshirat për hakmarrje mbysin shpresat për të ardhmen.


Është koha për të dëshmuar se Ballkani nuk është fushëbetejë as e civilizimeve, as e religjioneve por, përkundrazi, një hapësirë ku civilizimet dhe religjionet janë takuar e bashkëjetuar, duke krijuar panoramën e bukur të dallimeve, për të cilat secili nga ne sot është krenar.


Është koha, që shpirtin multikulturor, multifetar dhe multigjuhësor të rajonit tonë, ta kthejmë në fuqi krijuese e zhvilluese për njerëzit tanë, nga brigjet e Adriatikut në ato të Detit të zi, nga Danubi në veri, tek Mesdheu në jug.
Kjo arrihet duke qëndruar të bashkuar fort rreth vlerave të demokracisë, duke qëndruar të bashkuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të gjithë dhe për secilin. Duke respektuar njëri-tjetrin, si identitete kulturore që komunikojnë e gërshetohen në mes vete. Duke thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat e jetës, sidomos në atë të ekonomisë. Duke e kthyer rajonin tonë në një zonë të hapur për qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve.


Janë pikërisht këto mesazhe që përbëjnë edhe frymën e Samitit të radhës që po zhvillohet në Sofje, në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Të nderuar profesorë,
Të nderuar studentë,

Si asnjëherë më parë në histori, sot, fati ynë është në duart tona, si shtete të pavarura dhe demokratike. Ky fat është integrimi i plotë i Ballkanit në familjen e madhe të demokracive evropiane. Nuk kemi rrugë tjetër për t'i përmbushur ëndrrat dhe pritjet e qytetarëve tanë.


Megjithëkëtë, kjo rrugë nuk është e njëanshme, sepse, Bashkimi Evropian, pa Ballkanin e integruar në të, është projekt i pakryer, ashtu si Ballkani pa Bashkimin Evropian nuk ka të ardhme, çfarë e duan qytetarët tanë. Janë dy anë të së njëjtës medalje, të të njëjtit qëllim.


Duke ju uruar suksese në punën tuaj shumë fisnike, shpreh dëshirën që ky takim yni të mos përmbyllet këtu, por në Prishtinë. Jeni të mirëpritur.


Ju faleminderit.