Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës
Fjalim i mbajtur në Seancën solemne kushtuar 25 vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 2 Korrik 1990.
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni që në fillim, në emrin tuaj, t'i shpreh mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, mikut të shquar të vendit tonë, të pavarësisë dhe lirisë sonë, kongresmenit Eliot Engel.
Welcome mr. Engel,
- Të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur sot, në këtë seancë solemne, në nderim dhe respekt të 2 korrikut të vitit 1990.
Në këtë ditë, 25 vite më parë, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, nxorën deklaratën kushtetuese.
Sot, kemi nderin t'i kemi këtu në Kuvendin e Kosovës të Lirë dhe të Pavarur, dhe njëkohësisht, të shprehim nderim për ata delegatë që tash nuk janë në mesin tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
- Kjo lëvizje kishte filluar me demonstratat e vitit 1968,
- ishte rritur në aktivitetet e organizatave patriotike ilegale të asaj kohe,
- kishte shpërthyer vrullshëm në pranverën studentore të vitit 1981,
- për të vazhduar me demonstratat e fuqishme të vitit ‘88, ‘89, ‘90.
Ishte një përballje e madhe me nacionalizmin agresiv serb.
Në epiqendër të kësaj përballje ishte trashëgimia e rendit kushtetues të vitit 1974.
- Serbia kërkonte më pak se 74-shi.
- Lëvizja jonë kombëtare synonte më shumë.
Shqiptarët nuk mund të mashtroheshin me masa gjysmake ekonomike dhe politike.
Duhej dhënë fund diskriminimi kombëtar që shqiptarëve u bëhej në të gjitha nivelet e sistemit jugosllav.
Barazi ose shkëputje - Ky ishte vullneti politik i asaj kohe.
Në vitin 1989 Serbia përmes dhunës policore ndërmori agresionin kushtetues ndaj Kosovës.
Përmes këtij agresioni Kosovës iu hoqën të drejtat kushtetuese të vitit 1974.
1 vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullneti politik i kohës i qytetarëve,
- Përmes deklaratës kushtetuese anuluan agresionin kushtetues të Serbisë të marsit '89 dhe njëkohësisht avancuan shumë të drejtat kushtetuese të Kosovës.
Kosova bëhej subjekt i barabartë politik me republikat tjera të ish Jugosllavisë.
Ishte një veprim i duhur dhe në momentin e duhur.
- Jugosllavia komuniste nuk kishte gjasa për të mbijetuar dhe duke aneksuar Kosovën, Serbia synonte që në shpërbërjen e Jugosllavisë Kosova të mos figuronte fare si çështje ndërkombëtare.
Kësisoj Serbia synonte të shkatërronte bazën legale të së drejtës së Kosovës për shkëputje.
Përkundër kësaj Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte avancim i kësaj baze legale.
Ishte një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë.
Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Fitorja jonë e parë e madhe është pikërisht fitorja në luftën për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë.
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe lëvizja civile e viteve 90 kanë meritat e mëdha në këtë fitore.
- Ato ishin një ndihmesë e madhe kur erdhi momenti i madh, dita e madhe e fillimit të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur ne rrokëm armët, tanimë bota e kishte të qartë se këtë po e bënim për një kauzë të madhe, kauzën e lirisë.
Kjo na solli përkrahjen politike dhe ushtarake të botës demokratike.
Të nderuar të pranishëm,
- Me 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por fituam edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë, në anën e demokracive perëndimore.
Falë këtij rreshtimi ne ecëm më tutje,
- e bëmë Kosovën shtet të pavarur dhe tani po e konsolidojmë këtë shtet për ta bërë të gatshëm për integrimet euro-atlantike.
Prandaj për ne ky rreshtim është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kombëtare.
Ne besojmë në këtë vlerë.
Ne besojmë në partneritetin me botën perëndimore, si e vetmja rrugë për t'i zgjidhur problemet dhe tejkaluar sfidat e shtet ndërtimit dhe integrimit.
Ne do të kemi sukses!
Ju faleminderit.