Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës
Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, në Akademinë përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe t&e
E nderuar familje Jashari,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar bashkëluftëtarë të UÇK-së,
Të nderuar ushtarakë dhe ushtarë të Ushtrisë së ardhshme të Kosovës,
I nderuar zëvendëskryeministër,
I nderuar ministër i FSK-së,
I nderuar komandant i FSK-së,
Të nderuar deputetë,
I nderuar kabinet qeveritar,
17 vite me parë, në pasditen e 4 marsit, fëmijët e lagjes Jashari të Prekazit po luanin në fushën e madhe të lagjes së tyre.
U gëzoheshin rrezeve të zbehta të diellit që po paralajmëronin pranverën.
Kushtrimi 13-vjeçar, Blerina 7-vjeçare, Fatimja 9-vjeçare e Blerimi 12-vjeçar, ishin në mesin e tyre.
Dimri që po ikte kishte qenë i acartë dhe i trazuar. Shumë njerëz të panjohur më parë, vinin e shkonin në rrugën e lagjes, por ata nuk e kuptonin se çfarë drame tragjike për jetën e tyre kishte marrë formë, diku në një kryeqytet të largët,
për të cilin të rriturit bisedonin me zemërim, çdo natë pas darkës.
Si fëmijë që ishin, besonin se në fund gjithçka do të shkonte mirë dhe të nesërmen sërish do të luanin të gëzuar në fushën përballë lagjes.
E kishin lënë që pas shkollës të takoheshin të gjithë aty.
Të gjithë ranë për të fjetur.
Dhe derisa fëmijët e lagjes Jashari të Prekazit po përkundeshin në ëndrrat fëmijërore, një konvoj i madh i forcave të blinduara serbe nga veriu po hynte në qytetin e Mitrovicës.
Ato nuk ndaluan këtu, por u nisën rrugës së vjetër,
- andej nga ishin nisur dikur, për të shtypur lëvizjen e Azem Galicës, më 1924,
- andej nga ishin nisur përsëri për të shtypur kryengritjen e Shaban Polluzhes, më 1945,
- andej nga ishin nisur prapë, vite më vonë, për të vrarë Tahir Mehën, në vitin 1981.
Dhe sërish rruga po i shpinte në Prekaz.
Urdhrin e kishin të prerë:
Adem Jashari duhej të eliminohej dhe Prekazi të shndërrohej në tokë të djegur.
Qëllimi final: të shuhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga rrënjët që shqiptarët të harronin përgjithmonë idenë se mund të fitonin lirinë ndonjëherë.
Pa zbardhur dita zhurma e tankeve, krismat e armëve dhe era e gazit lotsjellës prishen qetësinë e Luginës së Prekazit.
Burrat e lagjes zunë hyrjet e shtëpive, ndërsa gratë i mbuluan me trupat e tyre fëmijët dhe foshnjat.
Çantat e mbushura me fletoret e detyrave të shtëpisë u shpuan nga predhat e mortajave.
Tymi dhe zjarri mbuloi gjithçka.
Në Prekaz po rifshfaqej drama e popujve të shtypur:
Lufta në mes të mirës dhe të keqes.
ADEM JASHARI PO BINTE, QË TË NGRIHEJ KOSOVA.
Të nderuar të pranishëm,
E nderuara familje Jashari,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Ngjarjet e mëdha historike përcaktohen nga efekti që ato kanë mbi rrjedhën e historisë.
- 5 Marsi i Adem Jasharit e ka një përmasë të tillë.
Atë ditë në Prekazin e Adem Jasharit mbyllej një epokë, ndërsa fillonte një epokë e re: Epoka e çlirimit përfundimtar të Kosovës.
Dhimbjet do të ishin të mëdha, por kthim pas nuk do të kishte.
Të nderuar të pranishëm,
Personalitete të mëdha historike janë ata që veprojnë në përputhje me nevojat e historisë.
- E Figura e Adem Jasharit e ka këtë përmasë.
Ai e kuptoi, më mirë nga të gjithë ne, se çfarë kërkonte momenti historik. Ai e dëgjoi thirrjen e historisë.
Kosova nuk mund të mbyllte shekullin e 20-të duke qenë e robëruar.
Liria nuk mund të shtyhej për më vonë.
Shekulli i ri duhej t'i gjente shqiptarët e Kosovës, të lirë, si gjithë popujt tjerë të Evropës që po linin pas një shekull të përgjakshëm e plot vuajtje.
Adem Jashari e dinte se hapi i parë drejt çlirimit është mposhtja e frikës, sepse frika është instrumenti kryesor i sundimit të tiranëve dhe diktatorëve.
Diktaturat fillojnë të shemben kur njerëzit nuk kanë më frikë prej tyre.
Por këtë gjë e dinte dhe regjimi fashisti i Milosheviqit, prandaj u sul mbi Adem Jasharin me një potencial të paparë ushtarak, me tanke, topa dhe njësitë elite të policisë dhe ushtrisë serbe.
- Për ta trembur Adem Jasharin, për ta thyer e gjunjëzuar.
Por u gabua!
Në historinë e luftërave nuk ishte parë një dramë e tillë. Asnjëherë.
- Një ushtri e tërë kundër një njeriu
- Një shtet kundër një familje
- Brutaliteti i forcës fizike kundër fuqisë së shpirtit që aspiron lirinë.
Atë ditë në mëngjesin e acartë të 5 Marsit 1998, ishin bërë dy llogari, prej të cilave do të varej krejt rrjedhja e historisë së Kosovës.
Njëra ishte llogaria e regjimit serb:
- me eleminimin e Adem Jasharit do të merrte fund lëvizja e rezistencës së armatosur, që po rritej dita-ditës gjithandej Kosovës.
- dhuna mizore mbi trupat e fëmijëve, grave dhe njerëzve të pambrojtur të Jasharajve do t'i stepte shqiptarët, do t'i prapësonte ata nga rruga e lirisë, do t'i bënte të pajtoheshin me nënshtrimin. Vrasja e fëmijëve shërben për të vrarë të ardhmen e një populli.
- Një skenar i tiranëve, i vjetër sa vet historia.
Llogaria Tjetër ishte e Adem Jasharit:
- rezistenca me çdo çmim do t'i bashkonte shqiptarët si asnjëherë më parë gjatë historisë së tyre,
- do të bashkonte botën demokratike që nuk mund të duronte barbarinë tek dyert e saj,
- dhe ky bashkim do të sillte lirinë.
Të gjithë e dimë se çka ndodhi më pas: HISTORIA I DHA TË DREJTË ADEM JASHARIT!
Një vit më pas, Kosova u shfaq në anën e ndritshme të historisë: ajo u bë e lirë dhe rigjeti lidhjen e saj të natyrshme në botën perëndimore.
Të nderuar të pranishëm,
E nderuara familje Jashari,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Sot Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran.
Në themele të tij është mundi dhe gjaku i Adem Jasharit,
- i lagjes martire të Jasharajve
- dhe mijëra dëshmorëve dhe martirëve anë e kënd Kosovës.
Sot ne kemi për detyrë ta ruajmë, ta forcojmë e zhvillojmë këtë vepër të madhe të popullit të Kosovës.
Ta bëjmë vendin tonë të sigurtë për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Një vend ku askush nuk do të mundet më t'ua prish ëndrrat fëmijërore,
t'ua ndërpres lojën apo mbyllë shkollat.
Sot siguria kombëtare për ne do të thotë integrim në familjen e madhe të Bashkimit Evropian dhe anëtarësim në NATO.
E ky integrim kërkon përkushtim maksimal nga të gjithë ne, kudo që jemi, në institucione, shkolla, spitale, ndërmarrje, universitete.
Integrimi është puna jonë e përditshme në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Nëse dje dinjiteti ishte t'i rezistojmë shtypjes, sot dinjitet do të thotë të jemi të zhvilluar.
Liria pa zhvillim nuk është e plotë. Zhvillimi e përmbushë lirinë.
Vetëm kur ta arrijmë këtë ne do të mund të qëndrojmë ballëhapur para kujtimit dhe sakrificës mbinjerëzore të Adem Jasharit.
Lavdi dhe nderim të përjetshëm Adem Jasharit, lagjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të atdheut tonë të dashur - Kosovës.