Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

E Enjte, 22.08.2019




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit, të kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli, u miratua Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në vijim, Kuvendi shqyrtoi propozimin e grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Veseli sqaroi se grupet parlamentare kanë mbledhur 93 nënshkrime të deputetëve për mbështetje të propozimit për shpërndarjen e kësaj legjislature.

Propozimin e këtij mocioni e paraqiti dhe arsyetoi Memli Krasniqi (PDK), i cili mes tjerash tha se në bazë të nenit 82, paragrafi 1, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës propozohet për shqyrtim në këtë seancë mocioni për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit, ndërsa shtoi se mocioni është në pajtim me qëndrimet e shprehura nga të gjitha grupet parlamentare në mbledhjen e Kryesisë dhe me kryetarët e grupeve parlamentare, të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të mbajtur më 5 gusht 2019.

Mocioni mori mbështetjen e deputetëve, ndërkaq, kryetarët e grupeve parlamentare, Memli Krasniqi(PDK), Glauk Konjufca(VV), Ahmet Isufi(AAK) e Bilall Sherifi (Nisma) nuk përkrahën propozimin e kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, për diskutime të deputetëve, të cilët kërkuan në vijim shpërndarje të menjëhershme të Kuvendit.

Avdullah Hoti (LDK), gjatë diskutimit të tij, numëroi, sipas tij, një sërë mangësish të kësaj qeverie, duke theksuar se qeveria PAN do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë. Hoti kërkoi mbështetjen e deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, për t'i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin 106 deputetë, ndërkaq, me 89 vota për, një kundër dhe dy apstenime, Kuvendi vendosi për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pas këtij votimi kryekuvendari Veseli sqaroi se ky vendim i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për dekretim, në pajtim me nenin 82, paragrafi 1, pika 2, të Kushtetës së Republikës së Kosovës.

 

Nga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e Kuvendit