Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 23.11.2017
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, u mblodh sot në seancë plenare, e cila filloi me njoftimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, se deputetët e këtij grupi do ta lëshojnë këtë seancë.
Krasniqi shprehu indinjatën dhe shqetësimin e grupit që drejton, në lidhje me raportimet e fundit në media, që flasin, siç tha ai, për një qasje diskriminuese dhe paragjykuese nga zyrtarët e EULEX-it ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar në procese të ndryshme nga prokurorët dhe gjyqtarët e këtij misioni.
"Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka deklaruar zyrtarisht dhe publikisht se gjykatës të EULEX-it kanë pasur qasje manipulative në rastet që ndërlidhen me ish-ushtarët e UÇK-së. Për më tepër, në dëshmitë e tij ai ka përfshirë edhe gjykatësin kryesor të rastit ‘Drenica 2', Dariusz Sielicki, për të cilin ka deklaruar se të akuzuarit i ka fyer vazhdimisht duke i quajtur edhe ‘kafshë'. Kjo është më shumë se e turpshme dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e Kosovës", tha Krasniqi, duke kërkuar nga udhëheqësit e EULEX-it që t'i ofrojnë Kuvendit dhe institucioneve vendore një përgjigje zyrtare dhe të detajuar në lidhje me këto pretendime.
Krasniqi propozoi që seanca të vazhdojë nesër, në orën 10:00.
Pas fjalës së tij, deputetët e GP të PDK-së, të AAK-së dhe të Nismës, lëshuan mbledhjen.
Kuvendi, i udhëhequr nga nënkryetarja Aida Dërguti, vazhdoi punimet me deputetët e mbetur, me deklarime jashtë rendit të ditës.
Pas shterimit të kësaj pike, me aprovimin e GP të Vetëvendosjes dhe atij të LDK-së, kryesuesja vendosi që seanca të ndërpritet, ndërsa për vazhdimin e saj deputetët do të njoftohen me kohë.