Lajmet e fundit
Nga mbledhja e komisionit për Arsim...
E Marte, 21.11.2017
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë , Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, majti mbledhjen e radhës sot, të udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën raportuan anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Kryetari i këtij Këshilli, Shafi Gashi, para anëtarëve të komisionit paraqiti raportin dhe planet e institucionit që ai drejton. Gjatë prezantimit të tij, Gashi tha se Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është zotuar t'i mbyllë të gjitha anomalitë që janë vërejtur, në mënyrë që institucionet të jenë në harmoni me ligjin. Ai tutje paraqiti një varg kërkesash si të nevojshme për këtë institucion, siç janë: ngritja e buxhetit, ndërtimi i një depoje për trashëgimi kulturore, rehabilitimi i artefakteve, zbatimi i legjislacionit lidhur me ndërtimin e autostradave, krijimi i mundësive për rritje të stafit etj.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shprehen gatishmërinë për përkrahje dhe bashkëpunim, si dhe mbikëqyrjen e zhvillimeve në ecurinë e punëve në këtë institucion.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe një shkresë të disa anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e cila i drejtohej komisionit, e që kishte të bënte me mbarëvajtjen e punës dhe funksionalizimin e këtij Këshilli.