Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Enjte, 16.11.2017




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Raporti i Pasqyrave Financiare të Audituara, për vitin 2016. Më pas është shqyrtuar edhe Plani vjetor i punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, për sezonin e Auditimit 2017/2018. Raporti i ZKA-së dhe Plani i Punës së këtij institucioni u prezantua nga Auditori i Përgjthshëm, Besnik Osmani, i cili po ashtu dha sqarime shtesë për Komisionin në shumë çështje të cilat u ngritën nga anëtarët e tij.

Pas një diskutimi të gjerë, anëtarët e Komisionit e përkrahën këtë raport për procedim në seancë plenare, me rekomandimet e Komisionit.

Me këtë rast, Komisioni përkrahu këto rekomandime: Zyra Kombëtare e Auditimit, për sezonin e Auditimit 2017-2018 të fokusohet në rekomandimet e të dhënave nga Auditori i Brendshëm, nëse ato rekomandime po zbatohen nga institucionet, Zyra e Auditorit të rrisë numrin e auditimeve të përfomancës, veçanërisht për ndërmarrjet publike, si dhe gjatë auditimeve të ndërmjetme, Zyra Kombëtare e Auditimit të mbikqyrë zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga viti paraprak.

Ndërsa, lidhur me institucionet të cilat duhet të auditohen, Komisioni vendosi që për këtë çështje të përcaktohet në mbledhjen e radhës.

Në vijim, anëtarët e Komisionit pritën në takim Auditorin e Përgjithshëm të Polonisë, Krzysztof Kwiatkowski dhe përfaqësues tjerë të këtij institucioni. Me këtë rast, u diskutua lidhur me bashkëpunimin që do të kenë institucionet e auditimit të këtyre dy shteteve dhe për ndihmën dhe përvojën që shteti i Polonisë i ofron Kosovës në këtë fushë.

Po ashtu, Komisioni njoftoi përfaqësuesit e Auditorit të Përgjithshëm të Polonisë edhe lidhur me fushëveprimin e Komisionit dhe për bashkëpunimin që ata kanë me ZKA-në. Temë kryesore në këtë takim ishte çështja e zbatimit të rekomandimeve të auditorit, për forcimin e kontrollit të brendshëm dhe për përmirësimin e qeverisjes në institucione.

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave PublikeNga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike