Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 13.11.2017
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja e Komisionit Blerta Deliu-Kodra, ka raportuar sot Shpejtim Bulliqi, kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror dhe anëtarë tjerë të këtij Komisioni.
Kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu, fillimisht sqaroi faktin se ratifikimi i Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi është kusht nga bashkësia ndërkombëtare për liberalizimin e vizave, duke kërkuar në vijim të dhëna nga z. Bulliqi, lidhur me ecurinë e punës së këtij Komisioni përkitazi me këtë proces.
Me këtë rast, Bulliqi dha sqarime në detaje lidhur me punën e Komisionit që ai drejton, vizitat që ata kanë realizuar në terren, duke ofruar kështu materiale të ndryshme para deputetëve. Ai po ashtu foli edhe për vizitat në Kroaci e Slloveni.
Sa i përket punës së Komisionit të mëhershëm për demarkacionin, Bulliqi tha se nuk ka pasur një proces të qartë, profesional dhe transparent. Ndërkaq, sa i përket ecurisë së punës së Komisionit të cilin e kryeson ai, Bulliqi tha se janë në proces të përfundimit të raportit dhe se po bëjnë përpjekje që sa më shpejtë këtë çështje ta procedojnë në qeveri e më pas në Kuvend.
Anëtarë të Komisionit dhe deputetë tjerë të pranishëm në këtë takim, kërkuan sqarime të shumta rreth të gjeturave nga ky Komision, me theks të veçantë për punën e tyre të deritanishme, të dhënat që ata posedojnë nga terreni, duke kërkuar edhe një mori argumentesh të tjera për çështjen e kufirit.
Pas një debati të gjatë, disa nga anëtarët e Komisionit, kërkuan të dhëna më konkrete për gjetjet që u prezantuan në mbledhjen e Komisionit, ndërsa disa nga deputetët opozitarë theksuan se të dhënat janë të qëndrueshme.
Krejtësisht në fund, u kërkua nga përfaqësues të këtij Komisioni që të kryejnë punë profesionale, të pavarur dhe tërësisht të paanshme. Për këtë u zotuan përfaqësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, duke shtuar se do të ketë përgjegjshmëri në faktet që ata ofrojnë dhe se serioziteti i këtij ekipi është në nivelin më të lartë.