Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 07.11.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja Blerta Deliu-Kodra, ka raportuar ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, lidhur me përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane.
Ministrja Hoxha, gjatë raportimit të saj, fillimisht ka folur lidhur me zbatimin e MSA-së, duke potencuar se Ministria e Integrimeve Evropiane ka bërë monitorimin e zbatimit të rregullt mujor të prioriteteve që dalin nga Agjenda e re Evropiane (ERA). Sipas saj, procesi i ERA-s ngërthen prioritetet e prioriteteve të nxjerra nga MSA-ja, duke sqaruar se është shënuar progres i madh në disa aspekte. Me këtë rast, ajo përmendi miratimin e Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, i cili është proceduar në Kuvend, zbatimin e vendimit të Agjencisë Antikorrupsion lidhur me emërimin në bordet publike, publikimin e raporteve financiare të partive politike dhe procesin e auditimit të tyre.
Ndërkaq, përmendi në detaje edhe veprimet tjera të cilat janë në proces.
Duke përmendur progresin e shënuar në pjesën dërmuese të prioriteteve të ERA-s, ministrja Hoxha tha se kjo do të mundësojë që së bashku me Komisionin Evropian të shqyrtohen prioritetet për vitin 2018. Sa i përket raportit të KE-së ajo tha se ka ndryshuar metodologjia e këtij raporti dhe ai do të publikohet në prill të vitit 2018. Kjo lëvizje, sipas saj, është bërë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe është hera e parë që raporti do të publikohet në pranverë.
Në vijim, ajo bëri të ditur se institucionet e Kosovës e kanë dorëzuar me 3 nëntor kontributin e tyre të përgatitjes së raportit dhe se kjo ministri u ka ofruar atyre përgjigje në 1500 pyetje, të cilat kanë qenë të shpërndara nëpër ministri dhe institucione përkatëse, në kuadër të fushave të qeverisjes dhe legjislacionit të BE-së.
Lidhur me strukturat e MSA-së, ministrja Hoxha tha se më 17 nëntor do të mbahet takimi i dytë i Këshillit për Stabilizim-Asociim në Bruksel dhe me këtë rast Këshilli do të shikojë progresin e arritur gjatë këtij viti dhe do të vendos prioritetet kyçe për vitin 2018.
Tutje, ministrja ka folur edhe për marrëveshjen financiare për programin IPA 2016.
Me këtë rast, kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar sqarime nga ministrja Hoxha lidhur me vizitën në Bruksel dhe për takimet të cilat ajo ka zhvilluar me përfaqësues të BE-së. Deliu-Kodra pyeti ministren nëse gjatë këtyre takimeve është ngritur edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi, si kriter për liberalizimin e vizave, përveç luftimit të korrupsionit.
Ministrja Hoxha sqaroi se gjatë takimit me Johanes Hahn, komisioner për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ka diskutuar për agjendën integruese të Kosovës dhe se çështja e demarkacionit me Malin e Zi është kriteri i mbetur për procesin e liberalizimit të vizave.
Anëtari i komisionit, Ilir Deda, pasi kërkoi nga ministrja e Integrimit Evropian që për pakon e ardhshme të IPA-s të kyçet edhe Komisioni në hartimin e nevojave të Kosovës, ai kërkoi sqarime edhe lidhur me demarkacionin me Malin e Zi. Me këtë rast, ai tha se nëse kanë mbetur edhe dy muaj kriter për këtë çështje, për liberalizim të vizave, duhet të bëhet më shumë publike kjo para qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, Milaim Zeka, duke u fokusuar me shumë në çështjen e zbatimit të ligjeve, theksoi se deputetët, gjatë legjislaturave të kaluara, 94 për qind janë marrë vetëm me miratimin e ligjeve, ndërsa 6 për qind janë marrë me kontrollin e qeverisë nga ana e parlamentit.
Ai vlerësoi se zbatimi i ligjshmërisë është kriter i rëndësishëm nga BE-ja, ndërsa shtoi se sa i përket çështjes së demarkacionit, ministrja Hoxha duhet të jetë më e prerë, që nëse duam liberalizim të vizave duhet miratuar demarkacionin.
Ndërsa, Ahmet Isufi, lidhur me ratifikimin e demarkacionit kërkoi sqarime shtesë nga ministrja, nëse i kanë njoftuar përfaqësuesit e BE-së lidhur me zhvillimet rreth komisioneve të demarkacionit. Ai tha se qeveria aktuale është duke punuar që të vërtetojë kufirin e saktë të Kosovës me Malin e Zi. Ndërsa, Armend Zemaj, tha fillimisht se sa i përket agjendës evropiane, progresi është i ngadalshëm nga ajo që po kërkohet dhe se duhet të shtohen dinamikat e punës.
Sipas Zemajt, nga qershori nuk ka asnjë ligj të miratuar që i përket agjendës evropiane dhe se sipas tij, nga 34 ligje të cilat kanë qenë obligim, vetëm 4 sosh janë miratuar.
Deputeti Zenun Pajaziti tha se kjo legjislaturë duhet të fokusohet në punë konkrete rreth adresimit të çështjeve dhe të kontribuohet në mbikëqyrjen e institucioneve që kanë të bëjnë me çështjet e procesit të integrimeve evropiane. Sa i përket kriterit të demarkacionit, Pajaziti tha se duhet pasur një guxim politik për të adresuar qartë këtë çështje.
Krejtësisht në fund të këtij takimi, Komisioni u njoftua nga kryetarja Blerta Deliu, se gjatë javës së ardhshme, Shpejtim Bulliqi, kryesues i Komisionit për Demarkacion, do të raportojë në Komision lidhur me çështjen e shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.