Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli: Afrimi dhe Fahriu ishin pushkët e para të lirisë

E Enjte, 02.11.2017




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 28-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, bëri homazhe dhe vendosi lule te vendi i rënies së tyre, në Lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se rënia e Afrimit dhe Fahriut, dy ideologëve dhe organizatorëve të lëvizjes ilegale të kohës, këtu e 28 vjet më parë, ishte humbje e madhe për këtë lëvizje, por njëkohësisht shërbeu si motiv për forcimin e radhëve të saj, intensifikimin e luftës për liri dhe rritjen e urrejtjes kundër pushtuesit.

"Kanë kaluar 28 vjet nga rënia e Afrimit dhe Fahriut, por dhembja vazhdon të jetë e freskët. Jemi krenarë të gjithë ne që kemi pasur rastin t'i njohim personalisht. Ata ishin pushkët e para të lirisë, paraardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kombi shqiptar do të jetë përherë krenarë me ta, ndërsa gjeneratat e reja do të përulen me nderim para veprës së tyre. Po ashtu, jemi krenarë edhe me familjet e tyre dhe qëndresën që ato treguan ndër vite. Nuk do të harrojmë asnjëherë se sa e shtrenjtë ishte liria jonë", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Veseli tha se kujtimi për këta dy lajmëtarë të lirisë dhe për të gjithë dëshmorët e tjerë, do të shërbejë si përkushtim për punë më të madhe në shërbim të atdheut, zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të vendit.

 

Kryeparlamentari Veseli: Afrimi dhe Fahriu ishin pushkët e para të lirisë Kryeparlamentari Veseli: Afrimi dhe Fahriu ishin pushkët e para të lirisë Kryeparlamentari Veseli: Afrimi dhe Fahriu ishin pushkët e para të lirisë