Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik…

E Enjte, 02.11.2017




Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, të kryesuar nga kryetarja Sala Berisha - Shala, u shqyrtua raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2016.

Raporti u prezantua nga kryetari i bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, i cili fillimisht bëri të ditur se raporti nuk përshkruan vetëm anën pozitive të punës së tyre, por edhe sfidat dhe problemet me të cilat është ballafaquar ky institucion gjatë vitit të kaluar.

Anëtarët e Komisionit: Sala Berisha-Shala, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Memli Krasniqi dhe Bilall Sherifi, shtruan një varg çështjesh që kanë të bëjnë me këtë institucion. Me theks të veçantë, u kërkuan sqarime nga përfaqësuesit e ARKEP-it lidhur me projektet e realizuara, ankesat e konsumatorëve për shërbimet postare, kodin shtetëror, të gjeturat e auditorit, operimin e Vala-s dhe Ipko-s në tërë territorin e Kosovës etj.

Me këtë rast, kryetari i bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, theksoi se shumë shpejt dy operatorët (Vala dhe Ipko) do ta mbulojnë tërë territorin e Kosovës, duke përmendur me këtë rast edhe pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me kodin shtetëror të telefonisë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, kreu i bordit të ARKEP-it tha se deri në muajin qershor të vitit 2018, kodi shtetëror i telefonisë (kodi:383) do të implementohet krejtësisht.

Pas përfundimit të diskutimit lidhur me këtë raport, miratimi i tij është shtyrë për mbledhjen tjetër të radhës për shkak të mungesës së kuorumit.

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik…