Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Marte, 26.02.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbajti takimin e parë të këtij viti, udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar. Në këtë takim i ftuar për raportim ishte ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj.

Ministri Beqaj, para anëtarëve te komisionit bëri të ditur se një pjesë e ndarjes buxhetore për vitin e kaluar në vlerë prej 10 milionë eurosh është dhuruar si grant për organizata joqeveritare të cilat kishin për detyrë që këto të holla t'i transportojnë në sektorin privat.

"Në buxhetin e vitit të kaluar kemi pasur rreth 10 milionë euro. Një pjesë e kemi dhënë grante për organizata joqeveritare, të cilët për detyrë kanë pasur që me fondet e dhuruara nga ministria t'i transportojnë tek sektori privat", tha Beqaj.

Sipas tij, përveç buxhetit të ndarë për ministrinë që drejton ai, prej 12 milionë eurosh, do t'i shtohen edhe investimet e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë.

"Angazhime të tjera të ministrisë janë edhe ngritja dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera vendore dhe ato ndërkombëtare. Duke i llogaritur këto bashkëpunime, buxheti parashihet të arrijë deri në mbi 22 milionë euro", tha Beqaj.

Ministri Beqaj e konsideroi të rëndësishëm planifikimin e qendrës së parkut për inovacion dhe trajnim në Prizren, i cili sipas tij, është shndërruar në park gjermano-kosovar. Po ashtu, ai theksoi se është në proces rregullimi i statusit juridik të parkut.

Anëtarët e komisionit nga ana e tyre, shtruan pyetje lidhur me aspekte të punës së ministrisë, në të cilat ministri dha përgjigjet dhe sqarimet e nevojshme.

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...