Lajmet e fundit
Nga takimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik me përfaqësues të MCC-së
E Mërkure, 20.02.2019
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, priti sot në takim përfaqësues të Fondit të Mileniumit të Mijëvjeçarit (MCC), me të cilët u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, në projekte të përbashkëta që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit. Me këtë rast, kryetarja e komisionit Sala Berisha- Shala, falënderoi përfaqësuesit e këtij institucioni të rëndësishëm, dhe i siguroi ata për një bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.
Kryetarja Berisha-Shala, po ashtu i njoftoi ata me fushë veprimtarinë e komisionit, duke vënë në pah përkushtimin në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend. Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Hykmete Bajrami, Veton Berisha, Dardan Sejdiu dhe Muharrem Nitaj, pasi falënderuan përfaqësuesit e MCC-së, dhe i siguruan ata për gatishmërinë e bashkëpunimit, vlerësuan se, një ndër fushat e investimit është sektori i energjisë, veçanërisht ai i energjisë së ripërtritshme.
Zëvendëspresidentja e MCC-së, Karen Session, nga ana e saj, u angazhua për një bashkëpunim në projekte afatgjata dhe të analizuara mirë, e që janë të nevojshme për vendin tonë, sikurse është sektori energjetik si dhe mbështetja e gruas në ekonomi. Ajo, po ashtu vlerësoi se realizimi i projekteve të përbashkëta, për të qenë sa më i sigurt duhet edhe mbështetja e gjerë parlamentare.
Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit i siguruan përfaqësuesit e MCC-së, se implementimi i projekteve do të gjejë mbështetje nga të gjithë faktorët relevant në vend, ndërkaq, komisioni do të afirmojë çdo iniciativë bashkëpunimi në të mirë të zhvillimit ekonomik.