Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Premte, 15.02.2019
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Besa Baftiu, kryetare, kishte për objekt diskutimi, si pikë e vetme, licencimin e institucioneve private shëndetësore, lidhur me "Rasti i të miturës nga Drenasi", ku i ftuar ishte ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ministri Ismaili, që në fillim u fokusua në rastin i të miturës nga Drenasi, duke theksuar se vajza ka kryer abortin në kohën kur ambulanca nuk ka pasur licencë dhe kështu ka rrezikuar shëndetin e vajzës, duke shkelur edhe legjislacionin në fuqi.
Ai theksoi se institucionet private shëndetësore duhet të bëjnë kërkesë për rilicencim pas skadimit të licencës së parë, duke shtuar se një barrë e tillë bie mbi vetë ata e jo mbi Ministrinë.
"Duke u bazuar në legjislacionin aktual, licencat lëshohen për pesë vjet dhe ambulancës, të cilës i mbaron afati kohor i licencës duhet të aplikojë dy muaj para përfundimit të afatit kohor, gjë të cilën ambulanca në fjalë nuk e ka kryer", tha ministri.
Pas diskutimeve të deputetëve dhe sqarimeve shtesë, ministri Ismaili theksoi se hetimet kanë filluar jo vetëm nga prokuroria, por edhe nga Oda e Mjekëve.
"Bazuar në Ligjin për Shëndetësi, shërbimet ofrohen në institucione publike dhe ato private. Në Kosovë ekziston një numër i madh i tyre. Nga informatat e fundit, në sektorin privat janë 1666 institucione private të licencuara shëndetësore, nga to 28 janë spitalore", tha ministri Ismaili.
"Ambulantes së gjinekologut, Fehmi Ahmeti, që ka qenë i dyshuar për kryerje aborti i ka skadu licenca. Vetë doktori ka pasë licencë, por licenca për intervenime jepet tek institucioni privat. Për abort kërkohen disa kushte që parashihen me Ligj edhe ato kushte ambulanca nuk i ka bë. Vajza ka kry abortin kur ambulanca nuk ka pasë licencë që e ka rreziku shëndetin e vajzës, por edhe e ka shkelë legjislacionin në fuqi. Ambulanca nuk ka ardhë me kërku licencë", tha Ismaili.
Në mbledhjen e sotme, është diskutuar edhe për tema të tjerë në fushën e shëndetësisë, për të cilat anëtarët e komisionit ngritën problematika të ndryshme dhe adresuan pyetje për ministrin Ismaili.