Lajmet e fundit

Veseli: Me SHBA-në Kosova ruan çdo gjë, pa të, rrezikon çdo gjë

E Shtune, 02.02.2019




Tani punonjësit publikë në Kosovë mund të themi se krahasohen edhe me vendet e BE-së për pagesat që do t'i kenë që nga nata e sotme.

Kështu tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pas miratimit nga Kuvendit të Ligjit për pagat, i cili parasheh rritje të pagave për shërbyesit publikë në Kosovë.

Kreu i Kuvendit tha se ekonomia e Kosovës është e qëndrueshme dhe se kjo rritje solide e pagave nuk do ta dëmtojë stabilitetin makro-ekonomik e makro-financiar të Kosovës. Ai tha se nëpërmjet përmirësimit të situatës tek sektori publik, është garantuar se nuk ka ulje pagash për asnjë punonjës publik.

"Ka rritje nga 20 deri në 83 për qind. Për mjekët, ushtarakët, policët, arsimtarët, pensionistët, zjarrfikësit dhe të gjitha kategoritë e tjera kanë rritje të pagave. Tani do të orientohemi tek pjesa më qenësore që është ndërmarrësia, prodhimi, sektori privat. Zhvillimi i vendit varet nga sektori privat. Ky do të jetë orientimi ynë", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Duke folur për Ligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2019, kryetari i Kuvendit tha se ai pritet të miratohet sonte në Kuvend dhe se koalicioni po punon normalisht.

I pyetur lidhur me taksën ndaj Serbisë, Veseli tha se i qëndron prapa deklarimit të tij se taksa duhet të pezullohet, me kushte, për 120 ditë.

"Unë mendoj se taksa duhet të qëndrojë dhe në partneritet me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë, të kemi një pezullim të përkohshëm me kushte që, nëse Serbia vazhdon me agresivitet, do të kalojmë në masa reciprociteti. Kosova, me SHBA-në, ruan çdo gjë. Pa të, pa përnarët ndërkombëtarë, rrezikon çdo gjë", tha kryeparlamentari Veseli.

 

 

Veseli: Me SHBA-në Kosova ruan çdo gjë, pa të, rrezikon çdo gjë