Lajmet e fundit
Reagim i Nait Hasanit, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Hënë, 29.07.2019
Gazeta Express më 27 korrik, 2019, në ora 11:53 minuta, ka publikuar artikullin me titull: " I përfitojnë privilegjet nëse Parlamenti s'shpërndahet deri më 3 gusht", që ka të bejë me deputetët, i cili artikull është botuar edhe nga disa media tjera.
Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, reagon ndaj Gazetës Express dhe sqaron opinionin publik se, ky artikull përmbanë të dhëna të pakonfirmuara. Deputetët nuk përfitojnë pensione suplementare, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, përfshirë edhe privilegjet, janë të përcaktuara qartë në Ligjin nr. 03/L-111 dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sqarimet rreth të cilave çështje mund t'i gjeni në vijim të tekstit:
Përfitimet e deputetit pas përfundimit të mandatit:
Sipas neneve 14 dhe 16 të Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, deputeti ka të drejtë në kompensimin e pagës kalimtare pas përfundimit të mandatit, deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, që nga dita e përfundimit të mandatit deputetit ka të drejtë në pagë bazë për dymbëdhjetë (12) muaj.
Rregullorja e Kuvendit, Shtojca, nr. 4
Të drejtat shtesë të deputetit:
Rregulla 2: E drejta e kompensimit material në të ardhura mujore
Deputetit, pas përfundimit të rregullt të mandatit, i takojnë të ardhurat mujore për periudhën prej dymbëdhjetë (12) muajve, po që se gjatë kësaj kohë nuk kthehet në vendin e punës, të cilin e ka pasur para zgjedhjes deputet, ose në vend tjetër të përshtatshëm për të.
Bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe në dispozitat e Rregullores së Kuvendit, deputeti ka të drejtë në kompensimin e pagës kalimtare deri në dymbëdhjetë (12) muaj, nga dita e përfundimit të mandatit.
Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kërkon nga Gazeta Express (online), që ta publikojë këtë reagim, dhe të kërkojë falje publike.