Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Premte, 19.07.2019




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Driton Selmanaj, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi raportin e Auditimit të Kompanisë Regjionale "KRU Prishtina" për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018.

Në mbledhje të ftuar ishin përfaqësuesit e kësaj kompanie, të cilët u përgjigjen në pyetjet e deputetëve lidhur me këtë çështje.

Deputeti Valon Ramadani, para anëtarëve të komisonit, shpalosi të gjeturat e raportit nga Zyra Kombëtare e Auditimit për këtë kompani. Ai konsideroi se këto të gjetura janë alarmante dhe se duhet të punohet në përmirësimin e tyre.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i bordit nga Kompania Regjionale "KRU Prishtina", u shpreh se kanë mbajtur mbledhje për këto të gjetura dhe se janë në proces të adresimit të të gjitha vërejtjeve të përmendura në raport dhe përfshirjes së rekomandimeve në hartimin e planit të veprimit që do të krijohet.

Për shkak të mos përputhjes së të dhënave të paraqitura në pasqyrën financiare të kësaj kompanie me ato të raportit të auditimit, anëtarët e komisionit u pajtuan që ky raport të procedohet për në seancë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ndërsa, në mungesë të përfaqësuesve nga Posta e Kosovës, nuk u bë shqyrtimi i Raportit të Auditimit të kësaj Ndërmarrjes Publike për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018. Raporti i u shty për mbledhjen e radhës të komisionit.

Në fund të diskutimit, njëzëri u miratua Raporti me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, për tu proceduar tutje në seancë plenare.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike