Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Enjte, 11.07.2019
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari Haxhi Shala, fillimisht u sqarua se ka përfunduar rezultati i intervistimit të kandidatëve për Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe se paneli përzgjedhës i Komisionit, ka përfunduar raportin. Shala tha se Komisioni ka përzgjedhur tre kandidatë dhe kjo çështje do të dërgohet në seancë plenare. Kjo u përkrah nga anëtarë të Komisionit.
Tutje, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi edhe raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Letërnjoftim.
Në vijim të mbledhjes, i ftuar për raportim ishte ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Me theks të veçantë, ai raportoi lidhur me një grup të studentëve të cilët kanë përfunduar Akademinë për Siguri në Turqi dhe që akoma nuk janë integruar nëpër institucione të sigurisë. Këtë çështje e ngriti anëtari i Komisionit, Fatmir Xhelili. Ai sqaroi se MPB-ja ka investuar në formë burse për këtë shkollim.
Komisioni, gjatë diskutimit njëzëri rekomandoi që kjo çështje të zgjidhet.
Ministri Mustafa ndër tjera tha se mosiintegrimi i këtyre studentëve mbetet shqetësim edhe për të, mirëpo sqaroi në vijim se legjislacioni i atëhershëm në fuqi nuk i ka lejuar që ata të integrohen në Policinë e Kosovës. Ai vlerësoi së këta persona do të duhej të inkuadrohen nëpër agjenci të cilat janë në kuadër të MPB-së.
Tutje, Komisioni po ashtu si shqetësuese e ngriti edhe çështjen e zjarrfikësve, duke kërkuar një trajtim më të mirëfillltë për ta.