Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli dhe Ambasadori norvegjez Sjaastad's, nënshkruajnë marrëveshje në vlerë prej 2.5 milionë eurosh për digjitalizimin e legjislacionit

E Marte, 09.07.2019




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadorin e Norvegjisë nё Kosovё, Per Strand Sjaastad's, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për implementimin e projektit për digjitalizimin e legjislacionit dhe harmonizimin gjuhësor të tij, të financuar nga shteti norvegjez, në vlerë prej 2.5 milionë eurosh.

Duke falënderuar ambasadorin Sjaastad's, dhe shtetin norvegjez për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, kryeparlamentari Veseli tha se me anё tё digjitalizimit tё legjislacionit, qytetarёt e Kosovёs, mediat, organizatat e shoqërisё civile, partitë politike, institucionet e ndryshme, do tё kenё qasje tё lehtё edhe tё menjёhershme tek ligjet e Kosovёs.

Veseli tha se ky projekt, i modelit "Lowdata", si njëri nga modelet më tё avancuara tё digjitalizmit tё ligjeve, tё zbatuar me dekada tё tёra nё shtetin e Norvegjisë, shënon hapin e parë të E-Qeverisjes nё Kosovё.

"Harmonizimi gjuhёsor ёshtё komponenta e dytё e rёndësishme e kёtij projekti. Ky harmonizim është tejet me rëndësi për shoqërinë tonë multietnike, ngase përmes tij evitohen mospërputhjet mes ligjeve në gjuhë të ndryshme. Në këtë drejtim jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë në një fjalor zyrtar tre gjuhësh, shqip-serbisht-anglisht. Shumica e buxhetit për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm do të jetë donacion nga shteti i Norvegjisë ndërsa pjesёrisht projekti do të financohet edhe nga buxheti ynë", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se nga sot, demokracia parlamentare e Kosovës është më afër trendeve bashkëkohore të legjislacionit dhe transparencës ndaj qytetarëve.

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad's, nga ana e tij, theksoi se financimi i këtij projekti është konfirmim i mbështetjes së shtetit që ai përfaqëson, për reformat në Kosovë.

"Ky projekt do të jetë një mekanizëm shumë i rëndësishëm dhe i përdorshëm për të gjithë ligjvënësit, për profesionistët ligjorë, si prokurorët dhe avokatët, si dhe të gjithë qytetarët e thjeshtë në këtë vend", theksoi ambasadori Sjaastad's, duke shtuar se kontributi i Norvegjisë në këtë projekt do të jetë rreth 2.3 milionë euro.

Ai falënderoi Kryeparlamentarin Veseli për bashkëpunimin e ngushtë me shtetin norvegjez dhe ka vlerësuar lart rolin e tij për demokratizimin dhe transparencën e Kuvendit të Kosovës.