Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi…

E Hënë, 08.07.2019




Sot, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Muharrem Nitaj, kryetar, në të cilën, për të raportuar lidhur me çështjen e hidrocentraleve në fshatin Biti e Poshtme, ishte i ftuar ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Gjatë paraqitjes së tij para komisionit, ministri Matoshi tha se ai nuk ka kompetenca dhe nuk mund ta ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në fshatin Biti e Poshtme, pavarësisht se mund të jetë e dëmshme për banorët.

"Nëse e ndërpresim punën tash, atëherë operatorit duhet t'i ofrohet dëmshpërblim, dhe unë nuk mund ta bëjë këtë gjë", theksoi Matoshi.

Në anën tjetër, anëtarët e komisionit theksuan se duhet të krijohet një komision hetimor i cili do ta mbikëqyrte procesin e ndërtimit të katër hidrocentraleve.

Vëmendje të veçantë iu kushtua edhe faktit nëse operatori ka leje ose jo, si dhe a ka të drejtë të prodhojë energji gjatë muajve qershor-shtator, meqë nuk ka sasi të mjaftueshme të ujit.

Në mbledhje të pranishëm ishin edhe përfaqësues të fshatit Biti e Poshtme.
Sipas tyre, ndërtimi i hidrocentraleve në këtë fshat jo vetëm që është shumë i dëmshëm, sepse shkatërron të gjitha tokat bujqësore, por edhe do të ndikojë negativisht në tërë ekonominë e Kosovës.