Lajmet e fundit

Veseli: 2 Korriku 1990 ishte bazament i platformës për pavarësi

E Marte, 02.07.2019




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 29-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, priti në takim ish-delegatë të Kuvendit të Kosovës të cilët ishin pjesëtarë të këtij momenti historik.

Duke uruar ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Veseli tha se 2 Korriku i vitit 1990 përbën një datë të shënuar të historisë së Kosovës.

Ai tha se me këtë akt, Kosova jo vetëm iu kundërvu agresionit kushtetues të Serbisë, por forcoi unitetin kombëtar brenda saj dhe krijoi bazamentin e platformës për pavarësi, që u konsolidua në vitet pasuese dhe kulmoi me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë realitet më 17 shkurt 2008, pikërisht në këtë Kuvend.

Udhëheqësi i delegacionit, Iliaz Ramajli, falënderoi kreparlamentarin Veseli për pritjen e përvitshme dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj kësaj date me rëndësi të madhe historike.