Lajmet e fundit
Kuvendi debatoi për gjendjen në arsim
E Enjte, 27.06.2019
Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në arsim dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës.
Para se ta marrin fjalën përfaqësuesit e grupeve parlamentare lidhur me këtë çështje, deputetët votuan dhe miratuan Projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, tha se ky ligj është ndër më të rëndësishmit.
"Jemi duke pritur gati 4 vjet dhe kemi biseduar me pozitën dhe opozitën për miratimin e këtij ligji", theksoi ajo.
Më pas, morën fjalën përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët shpalosën sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet arsimi sot në Kosovë.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, në cilësi të iniciuesit të kësaj seance, shprehu shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e arsimit.
Ai tha se gjendja në arsim është e rëndë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, organizimit jo të mirë dhe për shkak të ndërhyrjeve politike.
"Pas dy muajve do të fillojë viti i ri shkollor dhe ende nuk dihet se me cilat tekste do të fillojë mësimi. Në tekstet e reja ka shumë probleme, ndërkaq, ato të vjetrat nuk përputhen me kurrikulën", theksoi Kurteshi.
Deputetja Valentina Bunjaku nga Grupi Parlamentar i LDK-së, vlerësoi se MASHT-i është duke dështuar në shumë çështje që lidhen me arsimin. Sipas saj, cilësi e dobët është duke u vërejur në shumë nivele, duke filluar nga kuadrot, mospërputhja e arsimit me tregun e punës, nepotizmi, largimi i profesionistëve nga pozitat në arsim dhe sjellja e militantëve partiakë, mospërputhje e teksteve shkollore me moshën e zhvillimit të fëmijëve etj.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj tha se në vazhdimësi janë ndjekur aktivitetet e MASHT-it dhe se arsimi po ballafaqohet me një varg problemesh.
"Largimi i drejtorëve, pagesat e dyfishta për një person, kontratat mbi vepër, tregojnë gjendjen e keqe në këtë sektor", theksoi ajo.
Deputeti Albin Kurti nga Grupi Parlamentar i VV-së, po ashtu përmendi disa nga sfidat me të cilat përballet arsimi në Kosovë. Sipas tij, janë alarmante rezultatet e testit PISA dhe rezultatet e ulëta të nxënësve në shkencë.
"Për të bërë ndryshim të kësaj gjendjeje ka vetëm një gjë të rëndësishme që duhet bërë: ndërlidhjen e ekonomisë me arsimin dhe arsimit me ekonominë", theksoi ai.
Ndërkaq, nga Grupi Parlamentar i AAK-së, fjalën e mori deputetja Teuta Haxhiu, e cila tha se secili subjekt politik ka kontribuar që gjendja e arsimit të jetë e tillë.
Sipas saj, udhëzimet administrative po e ngadalësojnë zbatimin e ligjit, përfshirë këtu edhe Ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.
Edhe Driton Çaushi nga Grupi Parlamentar i PSD-së, u shpreh se është koha për të filluar trajtimin e kësaj fushe si një tërësi të pandarë, duke filluar që nga niveli parafillor e deri tek ai universitar. Ai tha se duhet të parandalohen ndërhyrjet brutale të partive në punësim dhe të bëhet analizë serioze për ndryshim të këtij realiteti.
Deputetja Albulena Balaj - Halimaj nga Nisma Social-Demokrate, tha se grupi që ajo përfaqëson është për depolitizimit e shkollave dhe, sipas saj, kjo do të filojë të ndodhë. Ndër të tjera, ajo vuri në pah disa nga të arriturat e MASHT-it, përfshirë këtu edhe dhënien e bursave për studentët me nevoja të veçanta.
Nga Grupi Parlamentar 6+, fjalën e mori deputetja Müfera Srbica - Şinik, e cila, po ashtu paraqiti sfidat dhe problemet me të cilat përballet arsimi në përgjithësi. Sipas saj, është mjaft e nevojshëm përfshirja e psikologëve dhe pedagogëve në shkolla.
Para deputetëve, fjalën e mori edhe ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, i cili u shpreh se lufta politike duhet të largohet nga arsimi. Ai përveç të arriturave të MASHT-it, përmendi edhe sfidat me të cilat është ballafaquar ministria të cilën ai udhëheq.
Sipas tij, një nga hapat pozitivë që ka ndërmarrë MASHT-it është edhe fillimi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve për të ngritur kështu cilësinë e arsimit.
Seanca vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët evidentuan një varg sfidash dhe problemesh me të cilat përballet sot sektori i arsimit në Kosovë, si dhe shtruan nevojën për ndërmarrjen e masave urgjente në zgjidhjen e tyre.
Në përmbyllje të seancës, fjalën prapë e mori inicuesi i seancës Ismajl Kurteshi, i cili theksoi se duhet gjetur një formë që kjo gjendje në arsim të përmirësohet.
Po ashtu, grupet parlamentare deleguan nga një përfaqësues të tyre në grupin e punës, i cili do të hartojë rezolutën, bazuar nga diskutimet e sotme, për ta radhitur për votim në një nga seancat e radhës.