Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane takoi përfaqësuesit e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik nga Austria

E Enjte, 20.06.2019




Komisioni për Integrime Evropiane mbajti sot takim me përfaqësues të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), lidhur me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e Kosovës dhe Austrisë në fusha të ndryshme.

Në këtë takim, anëtarët e komisionit shprehen mirënjohje të thellë për kontributin e vazhdueshëm të Austrisë në Kosovë, duke e konsideruar këtë si një raport që ndikon drejtëpërdrejt edhe në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE.

Delegacioni austriak u interesua lidhur me qëndrimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm midis Kosovës dhe Austrisë, si dhe për hapat që duhet ndjekur në të ardhmen.

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar, anëtarët e komisionit shpalosën punën që bën Komisioni për Integrime Evropiane dhe përmenden se sa efektive e shohin ndihmën e ofruar nga shteti austriak në Kosovë.

Ata po ashtu falenderuan Austrinë edhe për ofrimin e fondeve për implementimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, për ndihmën e ofruar në fushën e arsimit dhe mundësinë që u është dhënë të rinjve nga Kosova të ndjekin programe të ndryshme studimi në Austri.

Ligjvënësit kërkuan që shteti austriak të vazhdojë të ofrojë mbështetje, me fokus të veçantë tek zhvillimi i mëtutjeshëm i arsimit dhe mjedisit, duke rekomanduar që në të ardhmen të ketë edhe më shumë kontroll rreth fondacioneve austriake që vijnë në Kosovë, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj keqpërdorimi i mundshëm.

 

 

 

Komisioni për Integrime Evropiane takoi përfaqësuesit e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik nga Austria