Lajmet e fundit

Grupi i Deputetëve të Gjelbër mbajti tryezë lidhur me zbatimin e Rezolutës së Kuvendit për gjendjen alarmante të cilësisë së ajrit

E Mërkure, 19.06.2019




Sot Grupi i Deputetëve të Gjelbër (GDGJ) mbajti tryezën dëgjimore lidhur me zbatimin e Rezolutës së Kuvendit për gjendjen alarmante të cilësisë së ajrit, të miratuar me 1 shkurt 2018.
Në këtë tryezë deputetët kërkuan përgjegjësi nga përfaqësuesit e institucioneve përkatëse që i  obligon kjo rezolutë.

Kryesuesja e GDGJ, deputetja Mimoza Kusari - Lila, tha se misioni i Grupi i Deputeteve të Gjelbër është të vendosë çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike si prioritet në agjendën nacionale dhe të bashkëpunojë me komisionet parlamentare relevante, si dhe të gjitha institucionet e organizatat e tjera gjegjëse, në promovimin e politikave zhvillimore që sigurojnë qëndrueshmëri ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Kjo tryezë është ftuar që të diskutohen të arriturat dhe ngecjet e zbatimit të rezolutës së Kuvendit. Deputetja Kusari -Lila pati vërejtje për mos prezencën e ministrit të Mjedisit dhe të përfaqësuesve të tjerë të kësaj ministrie.

Në tryezë ishte e pranishme ministrja e Bujqësisë, sekretarja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, drejtori i KEK-ut, drejtori i Agjencisë Pyjore të Kosovës, përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës, përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik etj., të cilët paraqiten të arriturat dhe sfidat në zbatim të rezolutës.

Në fund të takimit, u kërkua nga përfaqësuesit e institucioneve që të dërgojnë më shkrim detyrat e realizuara për pikat specifike të rezolutës, sipas përgjegjësisë institucionale.