Lajmet e fundit
Dëgjim publik i Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike
E Marte, 18.06.2019
Në dëgjimin publik të mbajtur sot nga ana e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare, të ftuar ishin përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Diasporës, shoqëria civile, organizata të ndryshme joqeveritare, përfaqësues nga diaspora, si dhe qytetarë, për të diskutuar për Projektligjin nr. 06/L-148 për Diasporën.
Kryetarja e Komisionit theksoi se ky projektligj përmban tri çështje të rëndësishme për diasporën. Projektligji, sipas saj, parasheh hapjen e qendrave kulturore në diasporë, përkrahjen e mësimit dhe përparimit në gjuhën shqipe si dhe komunikimin me diasporën nëpërmjet një kanali televiziv.
"Institucionet e Kosovës duhet të kthejnë vëmendjen nga diaspora", theksoi Osmani.
Shyhrete Gosalci, përfaqësuese e Ministrisë së Diasporës, foli për rëndësinë dhe prioritetet e këtij projektligji, si dhe për objektivat të cilat synohen të arrihen nëpërmjet këtij projektligji.
Përfaqësues i Zyrës Ligjore, Ejup Kamberi, duke diskutuar për projektligjin në fjalë, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe diasporës.
"Nëpërmjet këtij ligji do të arrihet një bashkëpunim më i madh i diasporës me institucionet e Kosovës", theksoi Kamberi.
Në anën tjetër, Liza Gashi, përfaqësuese e organizatës GERMIN, tregoi disa nga aktivitetet e tyre në lidhje me çështjen në fjalë, si dhe përmendi disa nga të metat e projektligjit, duke dhënë sugjerimet e saj.
"Në këtë projektligj nuk janë përfshirë disa nga kërkesat që kanë dalë nga konsultat me diasporën", theksoi Gashi.
Xhevat Isufi, mësimdhënës në Suedi, po ashtu foli për rëndësinë e këtij ligji, i cili sipas tij ka për qëllim t'ia kthejë dinjitetin mërgatës shqiptare.
"Mos financimi i mësimit shqip në diasporë shpie drejt një asimilimi të ngadalshëm", tha Isufi.
Fjalën gjithashtu e morën edhe anëtarët e komisionit, të cilët dhanë propozime lidhur me disa aspekte përmbajëtsore të projektligjit.