Lajmet e fundit
Veseli takon gjeneralin Wesley Clark
E Mërkure, 12.06.2019
Pas takimit me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është takuar sot edhe me ish-komandantin e Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjeneralin Wesley Clark, i cili udhëhoqi operacionet ushtarake të Aleancës Veriatlantike kundër Jugosllavisë më 1999.
Kryeparlamentari Veseli dhe gjenerali Clark evokuan kujtime nga periudha e luftës, kur NATO nga qielli dhe UÇK-ja në tokë, po i kundërviheshin makinerisë ushtarake dhe policore të shtetit serb, në përpjekje për të ndalur gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve.
Kryeparlamentari Veseli tha se pas përmbylljes me sukses të këtij misioni të përbashkët, Kosova i hyri procesit të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe shtetformimit, ndërsa sot zë vend në skenën ndërkombëtare, si një shtet i pavarur, demokratik dhe me aspirata të qarta të anëtarësimit në NATO dhe BE.
Kreu i Kuvendit tha se ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe më pas prezenca e saj fizike në Kosovë, i dhanë rajonit paqen aq të nevojshme dhe i hapën rrugë bashkëpunimit dhe integrimit në familjen e madhe evropiane.
Veseli tha se Kosova tashmë ka ndërtuar kapacitetet e veta ushtarake sipas standardeve të NATO-s dhe forca e saj e armatosur është e gatshme t'i bashkohet aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s.
Gjenerali Wesley Clark tha se ndihet i nderuar që ka pasur fatin të jetë në krye të një operacioni i cili ndali vrasjet dhe spastrimin etnik, vendosi paqen dhe krijoi kushte për kthimin e të shpërngulurve.
Ai u shpreh i kënaqur me arritjet në Kosovë dhe tha se do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në integrimet euro-atlantike.