Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 22.07.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën i ftuar për raportim ishte ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi për të diskutuar lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e 3 universiteteve publike për vitin akademik 2019/2020.

Përkundër ftesës, ministri Bytyqi nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje të thirrur nga komisioni.
Kryetari i komisionit, Kurteshi, në fillim të takimit bëri të ditur se deklaratat politike që kanë ndodhur gjatë procesit të akreditimit nga KSHC-ja, dëmtojnë përpjekjet për ngritjen e cilësisë në arsim, si dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Kurteshi theksoi se ka kërkuar nga KSHC-ja që të bëhen publike raportet dhe vendimet që dalin nga ky institucion.

Anëtarët e komisionit nga opozita kërkuan që politika të mos ndërhyjë në vendimet e agjencisë, meqë tani ekziston një bord, i cili sipas tyre, është duke bërë përpjekje që të vendosë kritere në arsimin e lartë. Ndërkaq, deputetët nga pozita kërkuan që të përkrahen universitetet me profesionistë, duke ua dhënë mundësinë e ri-aplikimit edhe njëherë universiteteve që u është refuzuar akreditimi.

Pas një diskutimi të gjatë, komisioni doli me këto rekomandime të cilat u përkrahën me shumicë votash: të ruhet pavarësia e institucioneve të pavarura, nëse ka argumente për shkelje të pakënaqurit të ankohen, Qeveria t'i ndihmojë universitetet publike që t'i plotësojnë kriteret e kërkuara, Komisioni është kundër deklaratave politike të zyrtarëve të lartë lidhur me vendimin e KSHC-së.

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...