Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik... vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil, Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror dhe Aeroportin e Prishtinës

E Premte, 19.07.2019




Në kuadër të përgjegjësive monitoruese dhe planit të punës, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i prirë nga kryetarja Sala Berisha- Shala, ka vizituar dje disa institucione përgjegjëse për fushën e aviacionit, duke përfshirë Autoritetin e Aviacionit Civil - AAC, Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror - ASHNA dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në këtë vizitë mori pjesë edhe deputetja Safete Hadërgjonaj, zëvendëskryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Vizita kishte për qëllim njohjen nga afër me sfidat në zbatim të ligjeve dhe në funksionim, me të cilat përballen institucionet përgjegjëse për aviacion, sukseset dhe punën e tyre.

Në takimin me përfaqësuesit e AAC-së, drejtori Eset Berisha theksoi se falë punës së mirë të stafit, ky institucion gëzon reputacion të lartë në vend dhe jashtë vendit.

Si sfidë në këtë takim u paraqit zbatimi i ligjeve që ndërlidhen me reformën në administratën publike.

Po ashtu u vlerësua se AAC duhet të vazhdojë të funksionojë si institucion i pavarur dhe të ketë pavarësi buxhetore. U theksua gjithashtu se sfidë e mëtutjeshme mbetet marrja e kontrollit të hapësirës së lartë ajrore dhe normalizimi i hapësirës së ultë ajrore.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit, Sala Berisha-Shala, lavdëroi këtë institucion për punën e mirë që ka bërë në vazhdimësi.

Nga deputetët u kërkua që AAC të angazhohet në anëtarësimin e këtij institucioni në mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe të punohet në drejtim të normalizimit të hapësirës së ultë ajrore. Deputetët u shprehën se duke e ditur rëndësinë e këtij institucioni për sigurinë e aviacionit, do të angazhohen për mbështetjen e AAC-së në punën e saj.

Komisioni vizitën e vazhdoi në ASHNA, ku u prit nga zëvendësdrejtori për Operime, Valmir Hylenaj, së bashku me zyrtarë të ASHNA-së.

Edhe në këtë takim deputetët u interesuan të informohen për zhvillimet, planet dhe sfidat me të cilat përballet ASHNA.

Deputetëve iu prezantuan projektet e shumta që janë në zbatim e sipër dhe ndikimin e tyre në operimet e ASHNA pas futjes në funksion. Ndër sfidat më të rëndësishmet u paraqit ruajtja e stafit profesional, sidomos të kontrollorëve të trafikut ajror, si dhe mungesa e anëtarësimit në organizata rajonale e ndërkombëtare të aviacionit civil.

Deputetët u zotuan që do ta përkrahin ASHNA-në në projektet e veta zhvillimore dhe në përballjen me sfidat në të ardhmen.

Komisioni më pas vizitoi edhe Aeroportin, ku u prit nga drejtori Gokmen Aritai, nga i cili u prezantuan të dhëna të përgjithshme për punën e aeroportit.

Drejtori Aritai theksoi se janë tejkaluar pritjet për numrin e udhëtarëve, pasi që më 2018, sipas tij, kanë qenë 2.16 milionë udhëtarë, ndërsa parashikimet kanë qenë që kjo shifër të arrihet më 2034.

Deputetët u interesuan për zbatimin e marrëveshjes së koncesionit, marrëdhëniet me institucionet e Kosovës, shërbimet ndaj udhëtarëve, zhvillimet e projekteve, mundësitë që i ofrohen kompanive ajrore dhe konkurrencën me aeroportet e rajonit.

Drejtori i Aeroportit i informoi deputetët rreth çështjeve të ngritura, duke e konsideruar investimin në Aeroportin e Prishtinës si investimin më të qëlluar.

 

Komisioni për Zhvillim Ekonomik... vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil, Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror dhe Aeroportin e PrishtinësKomisioni për Zhvillim Ekonomik... vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil, Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror dhe Aeroportin e PrishtinësKomisioni për Zhvillim Ekonomik... vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil, Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror dhe Aeroportin e PrishtinësKomisioni për Zhvillim Ekonomik... vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil, Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror dhe Aeroportin e Prishtinës