Lajmet e fundit

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, vizitoi Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas

E Premte, 19.07.2019




Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, vizitoi sot Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, ku u prit nga Ramadan Gashi dhe Anita Kalanderi. 

Kryetarja e Komisionit, Haxhiu, theksoi se qëllimi i vizitës është për të kuptuar më nga afër si funksionojnë institucionet që bien në fushëveprim të Komisionit, për t'u dhënë mbështetjen e plotë si Komision.
Po ashtu kryetarja Haxhiu tha se roli i Agjencisë është shumë i rëndësishëm për qytetarët në ofrimin e ndihmës juridike falas, ndaj dhe u interesua se cilat janë sfidat dhe shqetësimet që po ballafaqohen.
Ndërkaq Ramadan Gashi tha se Këshilli për Ndihmë Juridike Falas është i nevojshëm për hartimin e dokumenteve dhe për të marrë vendime për politikat e shtrirjes së Ndihmës Juridike Falas. Ai shtoi gjithashtu se me përkrahjen edhe të Komisionit për Legjislacion, buxheti për këtë vit ishte pak më i mirë, duke e shtrirë ndihmën juridike falas në 7 regjione.
Ndërsa znj. Kalanderi tha se është hera e parë që Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas e viziton një kryetare e Komisionit, duke shtuar se 14 komuna mbulohen nga projekti i GIZ-it, mirëpo sfida më e madhe është shtrirja në të gjitha komunat dhe sigurimi i qëndrueshmërisë të këtyre zyrave.
Gjatë takimit u tha se qëllimi i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas është që të sigurohet qëndrueshmëria dhe të ketë shtrirje që çdo komunë të ketë zyrën e vet, për të qenë më afër palëve dhe qytetarëve të cilët kanë nevojë për shërbimet e ndihmës juridike falas.
Si sfidë u tha se është mungesa e buxhetit dhe mungesa e punonjësve, duke u pohuar se janë rreth 42 mijë lëndë që procedohen nga agjencia, duke u bërë një punë e madhe me të cilët qytetarët nuk janë të informuar për vlerën dhe rëndësinë e këtij institucioni.
Kryetarja e Komisionit shprehu kënaqësinë për punën dhe angazhimin e Agjencisë duke pohuar se edhe Komisioni do të jetë në përkrahje të vazhdueshme të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.
Në fund kryetarja e Komisionit u njoftua edhe për aktivitetet që kjo agjenci do të ketë muajt në vijim.

 

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, vizitoi Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas