Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Legjislacion...

E Hënë, 15.07.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, mbajti mbledhjen e radhës, ku i ftuar për të raportuar në lidhje me procesin e rekrutimit të noterëve të rinj, administratën e sistemit të drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, që lidhen me Ligjin e Pagave ishte ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, para të pranishmëve paraqiti gjendjen aktuale të administratës së drejtësisë, dhe kërkoi nga ministri Tahiri, që të tregoi se sa janë realizuar kërkesat e paraqitura nga greva e mbajtur e punonjësve të sistemit të drejtësisë.
Ajo, po ashtu ngriti edhe shqetësimet që janë adresuar nga ana e zyrtarëve të administratës, duke i dhënë theks të veçantë diskriminimit të zyrtarëve me ligjin e ri të pagave.
Lidhur me këtë çështje, ministri Tahiri, tregoi se deri më tani pothuajse të gjitha kërkesat e parapara nga ana e punonjësve të administratës janë realizuar. "Transporti dhe shtesat bien në përgjegjësi direkte të Ministrisë së Drejtësisë, prandaj edhe realizimi i tyre ka qenë më i lehtë. Kurse, sa i përket pagave, ne si ministri nuk kemi kompetenca mbi këtë fushë. Ky shqetësim duhet t'i adresohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Administratës Publike", ka thënë Tahiri.
Ndërsa, sa i përket shërbimit korrektues, Tahiri theksoi se Ligji për Paga është diskriminues ndaj kësaj kategorie, "andaj si i tillë duhet të vihet në plotësim-ndryshim sidomos për ngritjen e koeficientit të personave të shërbimit korrektues".
Ministri Tahiri, po ashtu raportoi edhe për procesin e rekrutimit të noterëve të rinj. Pas pyetjeve të shumta nga anëtarët e komisonit rreth këtij procesi, ai tregoi në përgjithësi për fazat e rekrutimit; përbërjen e komisionit; pyetjet vlerësuese; si dhe bazën ligjore të këtij konkursi. Sipas tij, ky proces ishte mjaft transparent, duke filluar nga kodimi i secilit aplikant, bërja publike e emrave të anëtarëve të komisionit, për të vazhduar më pas me publikimin e rezultateve e atyre që kanë arritur ta kalojnë pragun e arritshmërisë.
Por, shumica e anëtarëve të këtij komisioni procesin në fjalë nuk e vlerësuan mjaftueshëm transparent dhe të drejtë, si dhe nuk u ndanë të kënaqur me përgjigjet e ministrit Tahiri. Prandaj, ata rekomanduan që çështjen për rekrutimin e noterëve të rinjë ta rishikojnë përsëri, në mënyrë që çdo interferim nga jashtë të jenë i pamundur.

 

Nga Komisioni për Legjislacion...