Lajmet e fundit

Veseli: Vlerat e Revolucionit Francez janë në themel të të dy shteteve tona

E Shtune, 13.07.2019




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në një ceremoni të organizuar nga Ambasada franceze në Prishtinë, me rastin e Ditës Kombëtare të Francës, ka thënë se kjo ditë ka frymëzuar për shekuj me radhë, miliona njerëz anembanë globit për t'i rezistuar robërisë, padrejtësisë dhe diskriminimit.

Sulmi ndaj Bastijës 230 vjet më parë, shtoi Veseli, jo vetëm përbën lindjen e Francës moderne, por edhe lulëzimin e vlerave të lirisë, barazisë e vëllazërisë dhe përhapjen e tyre nëpër gjithë botën.

"Prandaj, unë gëzohem që jam këtu bashkë me pasardhësit e atyre revolucionarëve të mëdhenj në festimin e ditës së tyre kombëtare. Unë personalisht ndihem i privilegjuar që gjatë mandatit tim si kryetar i Kuvendit të Kosovës, kemi pasur vizita të shkëlqyera bilaterale dhe kemi ndërtuar një nivel të paprecedentë të bashkëpunimit e miqësisë mes parlamenteve tona. Po ashtu jam krenar që vitin e kaluar Asambleja e Kosovës është bërë anëtare e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se kjo është edhe festa e Kosovës, ngase, sic tha ai, vlerat e Revolucionit Francez janë në zemër e në themel të të dy shteteve tona.

"Jo vetëm kaq, por dua të theksoj se Kosova është gjithashtu produkt i atyre vlerave, të cilat me shenjtërinë e tyre bindën shtetet më demokratike të botës si Franca që të ndërhynin 20 vjetë më përpara për të na çliruar. Shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen më të thellë për Francën dhe popullin francez që na është gjetur pranë në kohët më të vështira. Franca na ndihmoi të fitojmë luftën dhe po na ndihmon sot të fitojmë paqen", tha më tej Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit vlerësoi lart angazhimin personal të Presidentit Makron në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të jetuar në paqe e fqinjësi të mirë.

"Miq francezë! Në 20 vjetorin e saj të lirisë, Kosova kultivon mirënjohjen më të madhe për vendin tuaj për ndihmën e dhënë. Por, njëherazi këtë ndihmë e sheh si obligim për të punuar më shumë në ndërtimin e një shteti demokratik me sundim të ligjit dhe me respektimin maksimal të të drejtave të njeriut e të pakicave", theksoi Veseli.

Ai shtoi se prioritet i shtetit të Kosovës është angazhimi edhe më i madh për të përshpejtuar integrimin euro-atlantik duke synuar lidhjen me shumë partnerë si Franca në kuadër të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. ​

 

Veseli: Vlerat e Revolucionit Francez janë në themel të të dy shteteve tonaVeseli: Vlerat e Revolucionit Francez janë në themel të të dy shteteve tonaVeseli: Vlerat e Revolucionit Francez janë në themel të të dy shteteve tonaVeseli: Vlerat e Revolucionit Francez janë në themel të të dy shteteve tona