Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 10.07.2019




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, kryesuar nga Besa Baftiu, kryetare, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën diskutoi lidhur me politikat shëndetësore në nivel vendi.

Në mbledhje, e pranishme ishte doktoresha Ilirjana Bajraktari, eksperte e sistemeve dhe politikave shëndetësore, e cila para anëtarëve të komisionit shpalosi ekspertizën e saj brenda dhe jashtë vendit, si dhe shprehu interes të hapur për të bashkëpunuar në krijimin e politikave sa më të avancuara në fushën e shëndetësisë.

Anëtarët e komisionit shprehen mirënjohje të thellë për doktorshën Bajraktari dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në këtë fushë. Ata folën për zhvillimet në fushën e shëndetësisë në Kosovës, por edhe sfidat me të cilat përballet ky sektor.

Ndër të tjera, ata theksuan se Kosova qëndron mirë sa i përket reformave legjislative dhe politikave për përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë, por ngecja vazhdon të jetë në implementimin e dobët të tyre në terren.

Gjatë diskutimit deputetë parashtruan një sërë pyetjesh, duke dashur të informohen për praktikat më të mira ndërkombëtare, pasi formimi profesional i doktoreshës Bajraktari është kryer në të njëjtën kohë me zhvillimet e fundit bashkëkohore jashtë Kosovës.

Ajo, para anëtarëve të komisionit tha se çështjet e sistemit shëndetësor janë mjaft komplekse, ndërsa sugjeroi disa veprime bazuar në rastet praktike që ka hasur, përfshirë këtu bërjen e një analize të thellë për gjendjen në terren para intervenimit, evidentimin e secilit rast të diagnostifikuar me ndonjë sëmundje, informimin e duhur qytetar për çështjet shëndetësore, krijimin e një sistemi të aplikueshëm të kujdesit parësor, si dhe krijimin e urave të bashkëpunimit me shtetet e tjera, duke krijuar kështu mundësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave adekuate.

Pas përfundimit të diskutimeve lidhur me gjendjen e shëndetësisë në Kosovë dhe dhënies së rekomandimeve për ngritjen e kapaciteteve në këtë fushë, anëtarët e komisionit diskutuan rreth mbajtjes së një dëgjimi publik potencial lidhur me Projekligjin e punës. Komisioni njëzëri u dakordua që në muajin korrik ta mbajë një dëgjim të tillë, në të cilën do të ftohen përfaqësuesit e sindikatave, OJQ-ve dhe grupeve të ndryshme të interesit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale