Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike
E Hënë, 08.07.2019
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare, në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe votoi disa nga amendamentet për Projektligjin për Diasporën, amendamente këto të propozuara nga vet anëtarët e komisionit, nga organizata joqeveritare Germin dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - OSBE.
Nga Ministria e Diasporës, e cila njëkohësisht është edhe inicuese e këtij projektligji, i pranishëm ishte Ejup Kamberaj, i cili paraqiti aspekte përmbajtësore të projektligjit dhe bëri komente rreth amendamenteve të propozuara.
"Projektligji për Diasporën është terminologji e përgjithshme, i cili përfshinë diasporën dhe mërgatën, dhe se në asnjë prej dispozitave të tij nuk ka dallime mes diasporës dhe mërgatës", theksoi Kamberaj.
Liza Gashi, përfaqësuese e organizatës Germin, përpos amendamenteve të propozuara për plotësim-ndryshimin e disa prej neneve të projektligjit, ajo po ashtu tha se shumica e shteteve në ligjet e tyre për qytetarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë shtetit të tyre, përdorin terminologjinë e njëjtë për mërgatë dhe diasporë. Prandaj, sipas saj, ky projektligj është në harmoni me ligjet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Anëtarët e komisionit u pajtuan që në mbledhjen e ardhshme të diskutohen amendamentet veç e veç të secilit anëtar, në mënyrë që Projektligjin ta procedojnë për në seancë plenare.