Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 08.07.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga kryetari Ismajl Kurteshi, diskutoi lidhur me organizimet e dëgjimeve publike nga grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

Deputetja udhëheqëse të grupit punues, Teuta Haxhiu, prezantoi aktivitetet dhe punën e grupit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit.

Haxhiu tha se në kuadër të monitorimit të zbatimit të këtij ligji, grupi ka vizituar dhe monitoruar pesë komuna dhe mbi 20 institucione, në mënyrë që raporti dhe aktiviteti i tyre të jetë sa më efikas.

Lidhur me zbatimit e Ligjit për Arsimin parauniversitar, deputetja Luljeta Veselaj- Gutaj tha se gjatë monitorimit janë hasur shumë parregullsi dhe janë gjetur shkelje ligjore.

Arbërie Nagavci, prezantoi zbatimin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore, duke e njohur komisionin për takimet e shumta që janë zhvilluar me institucionet relevante që ndërlidhën me fushëveprimtarinë e këtij ligji.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për anëtarin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, i zgjedhur nga ministri i Arsimit, Shyqeri Bytyqi.

Kryetari Kurteshi tha se do të kishte qenë mirë që ministri t'u japë mundësinë e garës edhe kandidatëve të tjerë në këtë rast. Kurteshi propozoi që të reagohet lidhur me përzgjedhjen e kandidatit të KSHC-së, duke kërkuar interpretim nëse është bëre shkelje ligjore. Anëtarët e komisionit u dakorduan që t'i dërgojnë shkresë ministrit të arsimit, duke e pritur përgjigjen e tij më pas.