Lajmet e fundit

Grupi i Miqësisë Kosovë – Zvicër priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Zean-Hubert Lebet

E Hënë, 01.07.2019




Grupi i Miqësisë Kosovë - Zvicër i Kuvendit të Kosovës mbajti sot një takim me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Zean-Hubert Lebet.

Të pranishëm në këtë takim ishin: deputetja Mexhide Mjaku Topalli, kryesuese e Grupit të Miqësisë, si dhe deputetët e tjerë: Ahmet Isufi, Time Kadrijaj, Elmi Reçica dhe Teuta Haxhiu.

Temë diskutimi e këtij takimi ishte çështja e sigurimeve shëndetësore, taksa dhe shpenzimet doganore për produktet kosovare në Zvicër. Po ashtu, u diskutua edhe mundësia e lidhjes së një marrëveshjeje për tregti të lirë mes Kosovës dhe Zvicrës, siç është shembulli i EFTA-s.

Në kuadër të këtij diskutimi u shtrua nevoja e ngritjes së nivelit të arsimit profesional në Kosovë, ndërtimi i shtëpive të pleqve në Kosovë, ndihma për sektorin e zjarrfikësve etj.

Kryesuesja Mexhide Mjaku - Topalli e informoi ambasadorin Lebet lidhur me vizitën e një delegacioni nga Grupi i Miqësisë Kosovë-Zvicër gjatë muajit maj 2019 në Zvicër. Më ketë rast, ajo, kërkoi që zyrtarisht të informohet lidhur me sigurimet shëndetësore të cilat është dashur të ratifikohet në Parlamentin e Zvicrës gjatë muajit të kaluar.

Krahas kësaj, u ngrit çështja për taksën shtesë për produktet kosovare në tregun zviceran, e cila është duke u aplikuar vetëm për Kosovë, ndërkohë që në asnjë nga vendet e rajonit nuk aplikohet.

Ambasadori Lebet u shpreh i kënaqur që është momenti në të cilin mund të jap lajmin e mirë se çështja e sigurimeve shëndetësore për kosovarët që kanë punuar në Zvicër, tashmë është ratifikuar dhe nga fundi i shtatorit ato do të paguhen. Ndërkaq, lidhur me taksën shtesë për produktet kosovare, Lebet tha se do të kërkojë nga zyra e tij që të informohet më gjerësisht për të parë se çfarë mund të bëhet.

Lidhur me marrëveshjen për tregti të lirë, siç është rasti EFTA, Lebet tha se në këtë kohë kur taksa për produktet nga Serbia aplikohet 100 për qind, nuk mund të flitet për marrëveshje për tregti të lirë, meqë, sipas tij, si e tillë shkelë marrëveshjet sikurse janë: EFTA, CEFTA etj. Kjo praktikë, tha Lebet, jep imazh të keq për bizneset që dëshirojnë të investojnë në Kosovë apo në rajon.

Deputetët e Republikës së Kosovës, njëzëri bën thirrje që shkollat profesionale (tetë gjithsej në Kosovë), të mund të gjejnë mbështetje me ndonjë projekt nga shkollat e profilit të ngjashëm në Zvicër, në mënyrë që të kenë marrëdhënie bashkëpunimi midis dy shteteve.

Në fund të takimit, kryesuesja Mexhide Mjaku - Topalli informoi lidhur me organizimin e një vizite të Grupit të Miqësisë nga Zvicra në Kosovë, e cila do të realizohet në vjeshtë. Në kuadër të kësaj vizite, anëtarët e Grupit të Miqësisë do të organizojnë edhe një konferencë për biznese. Për realizimin e këtij organizmi, Mjaku-Topalli kërkoi mbështetjen e Lebet dhe të Ambasadës se Zvicrës në tërësi.

Ambasadori Lebet, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë për të qenë i pranishëm çdo herë që paraqitet nevoja për të mbështetur iniciativa të tilla.