Lajmet e fundit
Mbledhja e komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 26.06.2019
Mbledhja e sotme e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ishte e fokusuar në takimin me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, lidhur me informacionet për furnizimin me barna nga lista esenciale, rreth furnizimit të SHSKUK-së me infuzione dhe pajisje mjekësore, vonesat në procedimin e Projektligjeve si dhe funksionalizimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor.
Si zakonisht, takimin e hapi kryetarja e komisionit Besa Baftiu, e cila pas një rezymeje të shkurtër të situatës dhe problematikës ftoi ministrin Ismaili, për informacione të mëtejshme.
Për rreth 40 minuta pa ndërprerje, ministri Ismaili dha sqarimet për punën që është kryer nga MSH, duke theksuar se është në procedurat përfundimtare procesi i revedimit të listës esenciale të barnave, pasi është dorëzuar drafti i listës esenciale dhe po bëhet ballafaqimi me listën globale të OBSH si procedurë e domosdoshme. Ministri gjithashtu theksoi se në Listën e Barnave Esenciale janë përfshirë edhe një numër i barnave për sëmundjet e rralla, që përbëjnë një barrë të madhe financiare për pacientët.
Për të rritur efektshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve mjekësore kemi rritur mundësinë e blerjes së pajisjeve të domosdoshme duke arritur në një shumë rreth 2 milion euro dhe dotë vazhdojmë mëtej.
Lidhur me vonesat në procedimin e projektligjeve Ismaili, theksoi se duhet të kemi parasysh, që ligji për Shëndetësinë është i avancuar dhe gati në kontradiktë me disa ligje që janë në procedim me vonesë, pasi nuk kanë ecur paralel. Sa për ligjin për Sigurime Shëndetësore jemi duke punuar dhe me ndihmën e ekspertëve gjermanë dhe zviceranë, po mundohemi të implemetojmë modelin e ri, me qëllim që të shmangim krijimin e borxheve të mëdha siç ka ndodhur në shumë vende të tjera. Ndërsa lidhur me funksionalizimin e sistemit të informimit Shëndetësor kemi bërë përparime duke pasur parasysh që teknologjia informative ka avancuar shumë shpejtë dhe implementimi i programit të 2010 është i prapambetur për tu përdorur. Me ndihmën e BB kemi blerë një aplikacion të ri, i cili ka filluar të përdoret gati në 15 komuna dhe tashmë kemi një listë elektronike të pacientëve, llojeve të sëmundjeve etj.
Më pas takimi vijoi me pyetjet dhe sugjerimet e deputetëve, ku ministri Ismaili dhe specialistët e ekipit të tij dhanë sqarimet e duhura.