Lajmet e fundit
Komisioni për Arsim dhe ai për Administratë Publike, mbajtën mbledhje të përbashkët
E Marte, 25.06.2019
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, sot, në një mbledhje të përbashkët, diskutuan lidhur me kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga vizita e përbashkët e realizuar në Luginë të Preshevës.
Mbledhja u kryesua nga të dy kryetarët e komisioneve përkatëse, Ismajl Kurteshi dhe Nait Hasani, të cilët para anëtarëve të tjerë të komisioneve treguan për vizitën e bërë në Luginën e Preshevës, duke shpalosur sfidat dhe problemet me të cilat përballet komuniteti shqiptar atje.
Ismajl Kurteshi theksoi se gjatë kësaj vizite deputetët kanë parë gjendjen shumë të vështirë të komunitetit shqiptar, si pasojë e presionit politik të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Ndër të tjera, Kurteshi përmendi mungesën e infrastrukturës dhe teksteve shkollore, mungesën e kuadrove përkatëse në arsim, si pasojë e mosnjohjes së diplomave, mungesën e dokumenteve, papunësinë, shlyerjen nga regjistrat civil, gjithnjë duke parë nevojën e menjëhershme të ndërhyrjes së institucioneve shtetërore të Kosovës me qëllim të përmirësimit të gjendjes aktuale.
"Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, në kohën kur Serbia po bën hapa gjigantë drejt Bashkimit Evropian", theksoi Kurteshi.
Nait Hasani po ashtu foli për vizitën në Luginën e Preshevës, duke theksuar pozitën jo të favorshme të shqiptarëve atje. Duke vënë në pah mohimin e të drejtave elementare të shqiptarëve, Hasani kërkoi që të ndërmerren masa reciprociteti dhe të mundësohen të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet.
"Nuk kërkojmë asgjë më shumë, veçse masa reciprociteti me shtetin e Serbisë. Të respektohen të drejtat e komunitetit shqiptar, siç i respekton shteti i Kosovës të drejtat e komunitetit serb", theksoi Hasani.
Pas diskutimeve të shumta të anëtarëve të të dyja komisioneve, u vendos që të thirret seancë e jashtëzakonshme, duke i ftuar ministrat, kryeministrin dhe të gjithë deputetët, me qëllim që Kuvendi të dalë me një rezolutë ose vendim në lidhje me përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.