Lajmet e fundit
Në Bukuresht të Rumanisë, delegacioni i Kuvendit të Kosovës kërkon përspektivë të qartë evropiane dhe liberalizim të vizave
E Hënë, 24.06.2019
Blerta Dieliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe Armend Zemaj, zëvendëskryetar, po marrin pjesë në takimin Plenar LXI të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë me datën 23 deri me 25 qershor 2019.
Ky takim plenar LXI i COSAC-ut është organizuar në kuadër të dimensionit parlamentar nga Presidenca Rumune e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Ndërsa temë kryesore e këtij takimi janë: diskutimet rreth arritjeve gjatë Presidencës Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian, përspektiva për marrëdhënie ndërkombëtare tregtare të Bashkimit Evropian, e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar në kontekst të "Brexit", fusha e edukimit arsimor si faktor shtytës në drejtim të forcimit të tregut të vetëm etj.
Gjatë zhvillimit të punimeve të takimit plenar LXI i COSAC-ut, deputetët Deliu-Kodra dhe Zemaj janë takuar me përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së.
Kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu-Kodra, në fjalën e saj u shpreh se integrimi evropian për Kosovën është shumë i rëndësishem dhe kërkoi që dinamika e tij të përshpejtohet. Në veçanti ajo potencoi faktin që ende qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza, edhe pas përmbushjes së të gjitha kritereve.
Po ashtu, në këto takime është diskutuar rreth përspektivës evropiane të Kosovës dhe mundësive të bashkëpunimit, kryesisht ndërmjet komisioneve homologe.
Në këtë konferencë të COSAC-ut janë duke marr pjesë përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian, shtetet me statusin e vendit kandidat dhe kandidat potencial, vendet e partneritetit partneritetit lindor etj.