Lajmet e fundit
Deputetja Bajrami mori pjesë në takimin e Komisionit për Ekonomi të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore
E Hënë, 17.06.2019
Kuvendi i Republikës së Kosovës u përfaqësua sot në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore,
mbajtur sot në Kuvendin e Madh Kombëtar Turk në Ankara, në të cilin u diskutua draft raporti dhe rezoluta me temë: "Roli i energjisë në zhvillimin e qëndrueshëm në Evropën Jug-lindore".
Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përfaqësoi deputetja Hykmete Bajrami, anëtare e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.
Deputetja Bajrami foli për zhvillimet dhe gjendjen aktuale në sektorin e energjisë në Kosovë (efiçenca e energjisë dhe energjia e ripërtëritshme, burime tjera të energjisë). Ajo e vuri në pah humbjet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet sektori i energjisë në Kosovë, për shkak të moszgjidhjeve të problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, problem i cili sipas deputetes Bajrami, ka rezultuar me efekte negative, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Takimi e kryesoi Turqia, e cila njëheriësh ishte dhe nikoqire.
Përveç Kosovës, pjsëmarrës në këtë takim ishin edhe deputetët përfaqësues nga Shqipëria, Turqia, Rumania, Kroacia, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia.
Në fund të takimit anëtarët e Komisionit miratuan Raportin dhe Rezolutën. Deputetja e Kuvendit të Kosovës apstenoi për shkak të amandamenteve të propozuara nga Serbia.